Presidenti i Egjiptit në Athinë/ Misotakis: Besim te Biden për rivendosjen e ekuilibrit dhe sigurisë në rajonin tonë

12/11/2020 02:40

Në momentin kur presidenti i Egjiptit Al Sisi që ka vizituar Athinën kryente takimet me homologen e tij Sakelaropoulou dhe kryeministrin grek Mitsotakis, Rexhep Tayyp Erdogan ka kritikuar përsëri Europën, që sipas tij përkëdhel grekët, Greqinë dhe grekoqipriotet.

“Vetëm nëse ndalojnë këto veprime të europianëve do të ketë një zgjidhje në Mesdheun Lindor”- ka paralajmeruar ai, disa orë pas rinovimit të Naftex-it që ka bërë Ankaraja për anijen Oruc Reis, e cila do të vazhdojë kërkimet tashmë deri në 23 Nëntor, në zonën detare 14 milje në lindje të Rodosit dhe 20 milje nga Kastelorizo. Kryeministri grek që ju është referuar tensioneve në Mesdheun lindor gjatë takimit me presidentin e Egjiptit, ka theksuar se bashkëpunimi trepalësh Athinë, Nikosi dhe Kajro është themeli i paqes, stabilitetit dhe prosperitetit, ndërsa ka shprehur besimin se presidenti i ri amerikan do të japë kontributin e tij për paqe në këtë rajon të trazuar.

“Unë kam besim se Presidenti Biden do të ndihmojë në rivendosjen e ekuilibrit dhe sigurisë në rajonin tonë. Një rajon që, në fund të fundit, ai e njeh mirë pasi e ka ndjekur atë për dekada”- tha Mitsotakis.

Nga ana e tij,edhe Abdel Fattah al-Sisi që ka theksuar se marrëveshja për ZEE mes Greqisë dhe Egjiptit bazohet tek e Drejta Ndërkombëtare, ka deklaruar se ka rënë dakord me palën greke që të përballojnë së bashku të gjithë ata që duan të kërcënojnë paqen në këtë rajon”.

“Diskutuam për ngjarjet në rajonin tonë dhe adoptimin e politikave prej disave që janë në kundërshtim me komunitetin ndërkombëtar dhe ramë dakord t’i përballojmë bashkërisht të gjithë ata që duan të kërcënojnë paqen”- tha presidenti i Egjiptit, Abdel Fattah Al-Sisi.

Ndërkohë ministria e Jashtme greke ka dërguar përsëri notë-proteste ndaj Ankarasë për rinovimin e naftex-it të saj të cilin e quan të paligjshëm. Ndërsa ministri i Jashtëm Nikos Dhendias është vetëizoluar orët e fundit pasi ka ardhur në kontakt me një person pozitiv me Covid-19, është njoftuar për këtë edhe presidenti Egjiptian Al-Sissi, pasi Dhendias e ka pritur atë në aeroportin e Athinës.

Top Channel