Mitsotakis: Javë të vështira na presin, 2021-shi do të jetë ‘viti i rifillimit’

12/11/2020 17:22
Kryeministri i Greqisë, Kyriakos Mitsotakis

Ditën e sotme kryeministri i Greqisë, Kyriakos Mitsotakis ka folur në lidhje me situatën aktuale pandemike në vendin fqinj.

Ai tha se vendin e presin javë të vështira dhe siguroi për mbështetjen ekonomike ndaj tyre.

“Javët e ardhshme do të jenë të vështira. Ato janë gjithashtu të vështira për bashkëqytetarët tanë që punojnë, të cilët po përballen me pasoja ekonomike. Kjo është arsyeja pse ne thamë që posaçërisht për nëntorin do të dyfishojmë kompensimin në punën e paguar dhe do ta sjellim atë në 800 euro . Ne do të mbështesim familjet më të rrezikuara,” tha kryeministri grek.

Mitsotakis tha se me fillimin e vitit të ri do të qarkullojë vaksina dhe shpreson se viti 2021 do të jetë “viti i rifillimit”.

 “Sot nuk ecim pa drejtim. Ne nuk e dimë kur do të arrijmë majën, por ne e shohim atë dhe kjo është vaksina. Duhet të shtrëngojmë dhëmbët për të arritur deri në fund. Ne do të kemi vaksina nga janari. Mbase tani që po përballemi me ditët më të vështira të errëta, do të kapërcejmë vështirësitë dhe do të dalim fitimtarë me sa më pak lëndime, në mënyrë që në vitin 2021 “të jetë viti i rifillimit”, tha ai.

Top Channel