Korabi eliminon Tiranën/ Shkarkohet trajneri Egbo, Partizani mund Apoloninë dhe kualifikohet

12/11/2020 21:12

Kampionia në fuqi e Shqipërisë Tirana është eliminuar nga Kupa në mënyrë surprizë në raundin e 1/8-ave, pasi është mposhtur me rezultatin minimal 0-1 nga skuadra e Kategorisë së parë, Korabi.

Në sfidën e zhvilluar në stadiumin “Skënder Halili”, bardheblutë mbyllën kohën e rregullt në barazim 0-0, duke bërë që gjithçka të shkojë në shtesë ku në fundin e saj, në minutën e 119′ Skuka që shënoi në portën e Tiranës dhe i dha kualifikimin e bujshëm Korabit.

Ndërkohë  me trajnerin Skënder Gega të izoluar për shkak të infektimit me koronavirus, Kukësi ka marrë fitoren e parë sezonale pikërisht në Kupën e Shqipërisë, ku ka triumfuar 2-1 me përmbysje ndaj Besës së Kavajës dhe është kualifikuar për në çerekfinale. Pas dy humbjeve radhazi në kampionat, edhe sfida e sotme nisi menjëherë me malore për verilindorët, që pësuan gol që në minutën e 8’ më pas në minutën e 68’ ishte kapiteni Vesel Limaj që shënoi golin e barazimit, ndërsa vetëm 4 minuta më vonë Agim Ibraimi shënoi edhe golin e dytë për Kukësin, duke kompletuar përmbysjen.

Bind edhe Teuta, që mposhti lehtësisht 5-0 Kastriotin në “Niko Dovana’ dhe siguroi kalimin për në fazën tjetër të Kupës së Shqipërisë, një kompeticion ku është edhe kampione në fuqi. Renato Arapi hapi serinë e golave për durrsakët, ndërsa më pas ishin Dejvi Bregu dhe Iran Junior, Emiljano Vila me penallti dhe Ildi Gruda që kompletuan goleadën.

Me rezultatin e pastër 3-0 fitoi edhe Skënderbeu në sfidën përballë Pogradecit ndërkaq Partizanit i mjaftoi një gol i shënuar nga Brian Brown në minutën e 19’ për të mposhtur me rezultatin minimal 1-0 Apoloninë dhe për të kaluar në çerekfinale. Eliminohet edhe skuadra tjetër e Superiores, Bylisi, që u mposht me rezultatin 1-2 nga Dinamo në stadiumin “Adush Muça” të qytetit të Ballshit.

Top Channel