Greqi/ Masat e reja nuk japin efekte, trefishohen rastet, numri i viktimave dhe të intubuarve

12/11/2020 01:36

Pavarësisht kontrolleve të rrepta dhe mbylljes së përgjitshme, Greqia përsëri regjistron një rekord të trefishte sa i përket rasteve, vdekjeve dhe të intubuarve me Covid-19. Gjatë 24 orëve të fundit 43 persona kanë humbur jetën dhe numri i përgjithshëm i viktimave ka shkuar në 909. Gjithashtu janë regjistruar 2.752 raste që e kanë çuar numrin e personave të infektuar prej fillimit të pandemisë në 63.321.

Përsëri vendin e parë e mban Selaniku me 777 raste, i ndjekur nga Athina me 635 dhe Larisa e Serresi me 137 dhe 114 të prekur përkatësisht. Për të 8 ditë rrjesht është rritur numri i të intubuarve që ka shkuar në 297 persona.
Nën presionin të jashtëzakonshëm ndodhen autoritetet spitalore të Selanikut për shkak të shpërthimit të rasteve dhe shtrimit në masë të pacientëve me simptoma Covid-19.

“Mjafton t’ju them se nga dje deri sot kishim 25 intubime në dhomat e terapisë intensive në Greqinë e Veriut. E kuptoni se nëse do të shtohen në ditët e ardhëshme se për çfarë shifra flasim. Dhe vetëm në spitalin Axepa në Selanik kishim 85 shtrime gjatë turnit të nates së spitalit deri në mëngjes”- tha ministri i Shëndetësisë Vasilis Kikilias.

“Selaniku po kalon një periudhë të vështirë dhe Greqia e Veriut është në sprovë. Mos e rendoni gjendjen e qytetit me dalje të panevojshme, ju bëj thirrje për këtë”- tha ministri i Rendit Mihalis Chrisohoidhis.

Përveç qyteteve pranë Selanikut ku prekshmëria është në shkallë të lartë edhe Larisa ndodhet në një situatë alarmante. Në këto kushte qeveria greke ka shtrënguar përsëri masat megjithëse vendi ka disa ditë që ndodhet në lockdoën. Kështu prej të premtes, siç ka sqaruar zv/ministry i Mbrojtjes civile, prej orës 9 të mbrëmjes deri në orën 5 të mëngjesit do të lejohen të dalin duke marrë leje me mesazhe telefonike vetëm ata persona që do të shkojnë tek mjeku, në punë, apo do të nxjerrin pranë vendit ku banojnë kafshët shtëpiake.

Gjithashtu është ndaluar gjuetia dhe peshkimi. Autoritetet bëjnë thirrje për respektim rigoroz të rregullave duke theksuar se vendi ndodhet në një situatë kritike.

Top Channel