Një bebe vajzë ka vdekur kur një gomone me 116 emigrantë që lundronte drejt Evropës, është çarë në dy pjesë në detin Mesdhe.
Grupet e shpëtimit kishin nisur kërkime të shumta në orët e mësimit të tragjedisë, derisa e lokalizuan barkën në ujërat ndërkombëtare në veri të Libisë.
Me sa kuptohet emigrantët lundronin drejt Italisë, e cila është destinacioni i parë evropian i të nisurve nga Tunizia e Libia drejt Evropës.
Deri tani 30,800 emigrantë kanë arritur në Itali në vitin 2020, teksa numrat po shënojnë rritje pas një renie graduale vitet e fundit.
Italia ka shtuar ndihmën teknike për rojën bregdetare libiane në tentativë për të interceptuar barkat e emigrantëve, të menaxhuara nga biznesi mizor i trafikantëve.
Tragjedia e nisur dy ditë më parë u mësua dje kur një anije shpëtimi e një organizate spanjolle arriti te emigrantët, duke u shpërndarë jelekë shpëtimi dhe maska.
Por gjatë konfuzionit të transferimit të tyre në anije gomonia e tyre e vjetër u nda në dy pjesë duke i lëshuar pasagjerët në ujërat e ftohtë.
Një nga dy foshnjet në bord, një vajzë gjashtë muajshe, ndërroi jetë pas transferimit në anijen e shpëtimit.
Zëdhënësja Laura Lanuza tha se anija i kishte kërkuar leje autoriteteve italiane e malteze për evakuimin e gjashtë njerëzve në gjendje të rëndë.
Katastrofa detare është e dyta e regjistruar kësaj jave me mjete ilegale nga Libia.
Të martën 13 njerëz u mbytën duke përfshirë edhe një fëmijë, sipas të dhënave të OKB.
Deri tani më shumë se 575 kanë humbur jetën këtë vit në detin Mesdhe, duke u përpjekur të arrijnë në Evropë, sipas Organizatës Ndërkombëtare të Emigracionit.
Top Channel