Caktohet shefi i stafit/ Biden zgjedh këshilltarin e vjetër

12/11/2020 10:59

Presidenti i zgjedhur Joe Biden zgjodhi këshilltarin e tij të vjetër, Ron Klain për të shërbyer përsëri në rolin e shefit të stafit të tij, duke vendosur një ndihmës me përvojë prej disa dekadash në rolin kryesor në stafin e presidentit.

Klain do të drejtojë një Shtëpi të Bardhë që ka të ngjarë të jetë e përqendruar tek përgjigja ndaj pandemisë së koronavirusit, e cila vazhdon të përhapet pa kontroll në mbarë vendin. Ai do të përballet gjithashtu me sfidën për të punuar me një Kongres të ndarë që mund të përfshijë një Senat të udhëhequr nga republikanët. Klain shërbeu si koordinator për përgjigjen ndaj Ebolës gjatë shpërthimit të virusit në vitin 2014. Biden sqaroi se e zgjodhi Klain në këtë post pasi sic tha,  eksperienca e e tij e gjatë në Uashington e kishte përgatitur për sfida të tilla.

“Përvoja e tij e thellë dhe e larmishme dhe aftësia për të punuar me njerëz të të gjithë spektrit politik është pikërisht ajo që më duhet në një shef të stafit të Shtëpisë së Bardhë ndërsa përballemi me këtë moment krize dhe bashkojmë vendin”.

Klain shërbeu si shef i personelit të Biden gjatë mandatit të parë të presidentit Barack Obama, ishte shef i personelit të zëvendëspresidentit Al Gore në mes të viteve 1990 dhe një nga këshilltarët kryesorë në fushatën e Biden, duke udhëhequr përgatitjet e debatit të tij dhe përgjigjen ndaj koronavirusit. Zgjedhja e tij evidenton  përpjekjet që administrata e ardhshme Biden do të bëjë në përgjigjen e saj ndaj koronavirusit, ashtu sic është premtuar, që në ditën e parë.

Top Channel