Milani nis të mendojë për pasuesin e Ibrës, zbulohen lojtarët që ndiqen nga Maldini

11/11/2020 00:45

Zlatan Ibrahimoviç është një siguri në fushë dhe në dhomat e zhveshjes, pasi po përjeton një rini të dytë me fanellën e Milanit, por drejtuesit e klubit e dinë mirë se duhet të marrin masat, pasi vitet kalojnë dhe gjiganti suedez nuk premton të vijojë kështu edhe për shumë kohë.

Pikërisht për këtë arsye, në një takim me dyshen Maldini-Massara, Administratori i klubit kuqezi ka udhëzuar drejtuesit e tij që të nisin negociatat për afrimin e njërit mes dy sulmuesve të rinj të talentuar, Memphis Depay dhe Marcus Thuram.

Sulmuesi 26-vjeçar holandez pritet të largohet nga Lyoni që në muajin janar dhe kuqezinjtë nuk do ta kenë aspak të lehtë të negociojnë me të, pasi kërkohet me ngulm nga Barcelona, si i përzgjedhuri i trajnerit Ronald Koeman. Nga ana tjetër edhe për Thuram konkurrenca është e madhe, por kuqezinjtë kanë marrë informacionet paraprake nga menaxheri i tij Mino Raiola, i cili përfaqëson edhe futbollistë të tjerë të kuqezinjve, mbi të gjitha Ibrën e Donnarummën.

Këto dy profile shikohen me shumë interes nga drejtuesit e Milanit, pasi mund të luajnë fillimisht në krah të Ibrës dhe njëkohësisht të përgatiten t’i marrin vendin suedezit, kur fiziku të mos e lejojë atë të shprehet mirë në fushën e lojës.

Për më tepër, bëhet fjalë për dy futbollistë që kanë ende edhe shumë vite karrierë përpara, sidomos Thuram që ka vetëm 23 vite mbi supe, ndaj përshtaten në mënyrë perfekte me strategjinë e klubit për të afruar lojtarë të rinj.

Top Channel