Masat kundër terrorizmit/ BE e nis aksionin nga interneti

11/11/2020 11:48

BE-ja do të ashpërsojë rregullat për luftën ndaj ekstremizmit online, deklaroi presidentja e Komisionit Europian, Ursula von der Leyen.

Komentet e saj vijnë pas disa sulmeve vdekjeprurëse që goditën së fundmi Francën dhe Austrinë.  Brenda më pak se një muaji, militant të dyshuar islamikë vranë tetë persona në Paris, Nicë dhe Vjenë. Sulmet e rifokusuan vëmendjen e bllokut te kërcënimi nga ekstremizmi, i cili nuk ishte më në krye të rendit të ditës në Evropë që prej humbjes së militantëve të Shtetit Islamik në Siri dhe Irak, në vitin 2017. Ministrat e Drejtësisë dhe të Brendshëm të bllokut do të mblidhen për këtë çështje të premten. Von der Leyen tha se rregullat e BE-së do të përfshijnë masa për të luftuar përmbajtjen ekstremiste në platformat në internet.

“Vlerat tona duhet të mbrohen në internet dhe jashtë tij. Javët e fundit e kemi parë edhe një herë sesa urgjente është një gjë e tillë”, tha Ursula von der Leyen.

Charles Michel, i cili kryeson samitet e udhëheqësve të BE-së, propozoi krijimin e një instituti të veçantë evropian për të trajnuar hoxhallarët. Një draft i një deklarate të përbashkët për takimin e ardhshëm të ministrave, i parë nga agjencia e lajmeve Reuters, bën thirrje që emigrantët “të bëjnë përpjekje aktive për t’u integruar, derisa u ofrohet ndihmë në këtë drejtim”. Më herët, presidenti francez, Emmanuel Macron  kërkoi një reagim të shpejtë dhe të koordinuar evropian ndaj sulmeve terroriste, i cili siç tha, duhet të fokusohet tek zhvillimi i një baze të përbashkët të dhënash, forcimi i politikave kriminale dhe shkëmbimi i informacionit.

Top Channel