Italia nën masa kufizuese, Firence mbyll restorantet, Torino qytet fantazmë

11/11/2020 22:18

Në Toskanë dhe katër rajone të tjera të Italisë hynë në fuqi kufizimet kundër koronavirusit, për t’i bërë ballë valës së dytë të pandemisë.

Javën e kaluar, qeveria vendosi kufizime kombëtare, përfshirë një shtetrrethim gjatë orëve të natës dhe ndau vendin në tre zona, bazuar në intensitetin e COVID-19.

Toskana, që përfshin qytetin e Firences, si dhe rajonet e tjera Liguria, Abruco, Umbria dhe Bazilikata konsiderohen si zona “portokalli”, ku baret dhe restorantet janë mbyllur, por dyqanet mbeten të hapura. Ndërkohë që njerëzit lejohen të lëvizin brenda qyteteve, por jo të dalin prej tyre.

Në Firence, restorantet mblodhën tryezat dhe karriget për të mbyllur dyert, ndërsa baret ofruan brioshë dhe kafe për të marrë me vete.

Ndërkohë, qytete si Torino dhe Milano, por edhe të tjera, të veriut të industrializuar, janë “zonë e kuqe” dhe ndodhen nën një bllokadë të pjesshme.

Të premten e kaluar, kur masat kufizuese hynë në fuqi Torino ishte thuajse i boshatisur.

Ndërkohë, rajonet jugore të Pulias dhe Siçilisë mbeten në të ashtuquajturën “zona portokalli”.

Italia, vendi i parë evropian që u prek keq nga COVID-19, arriti të zbusë fuqinë e virusit pas një bllokade të rreptë të vendosur në muajt mars dhe prill.

Të martën, vendi regjistroi mbi 35 mijë raste të reja me koronavirus, si dhe 580 vdekje, niveli më i lartë që prej 14 prillit.

Top Channel