Italia, 1 mln infektime/ Britania e 5-ta në botë për viktimat

11/11/2020 19:56
Pamje nga Italia

Britania e Madhe është bërë vendi i pestë në botë dhe i pari në Evropë që kalon 50 mijë viktimat, duke u renditur kështu pas shteteve të bashkuara të Amerikës, Brazilit, Indisë dhe Meksikës.

Vetëm 24 orët e shkuara, në Britaninë e Madhe kanë humbur jetën 595 persona të tjerë duke e çuar shifrën totale në 50365. SHBA ka regjistruar numrin më të lartë të viktimave në botë, 238,680, ndjekur nga Brazili dhe India. Pas Britanisë së Madhe ndërkohë, është Italia ajo që kryeson për sa i takon bilancit të viktimave në Evropë me 42.330 ndërsa Franca ka regjistruar 40.987 dhe Spanja 39.345. Në Itali ndërkohë, numri total i rasteve të koronavirusit që nga fillimi i pandemisë kaloi shifrën 1 milion, të mërkurën. 32961 infektime të reja u regjistruan në 24 orët e fundit, një ulje kjo krahasuar me një ditë më parë kur u raportuan 35.098 raste. Por, numri i viktimave në 24 orët e shkuara në Itali ishte 623, më i lartë se një ditë më parë kur 580 persona humbën jetën si pasojë e koronavirusit.

Por situata nuk është aspak më e mirë edhe në vende të tjera të Evropës. Gjermania ka raportuar rritjen më të madhe të viktimave nga koronavirusi që prej prillit pasi ministri i shëndetësisë paralajmëroi se numri i infektimeve ditore nuk ka rënë mjaftueshëm sa për të sheshuar kurbën. Gjermania është në izolim të pjesshëm që nga 2 nëntori dhe regjistroi 18487 raste të reja dhe 261 viktima në 24 orët e shkuara. Kancelarja Merkel ka thënë se izolimi i pjesshëm një mujor, ishte i domosdoshëm për të frenuar përhapjen e koronavirusit dhe evituar mbingarkesën në spitale. Qeveria sllovake ndërkohë do të zgjasë gjendjen e emergjencës edhe për pjesën e mbetur të vitit pasi ajo e shpallur në tetor do të skadonte të shtunën.

Top Channel