Dita e Veteranëve: Trump vendos kurorë në Arlington, Biden në Pensilvani

11/11/2020 17:59

Ndërsa amerikanët në të gjithë vendin po bëjnë homazhe për të gjithë ata që kanë shërbyer në Forcat e Armatosura të vendit, Presidenti Donald Trump dhe zonja e parë morën pjesë në një ceremoni me rastin e Ditës së Veteranëve në Varrezat Kombëtare të Arlingtonit, pranë kryeqytetit.

Në shiun që vazhdonte të binte, Presidenti Trump vendosi një kurorë përpara monumentit të ushtarit të panjohur, në shoqërimin e nënpresidentit Mike Pence.

Kjo është një nga paraqitjet e para publike të Presidentit Trump që kur rivali i tij demokrat Joe Biden siguroi votat e nevojshme të Kolegjit Zgjedhor për të fituar presidencën, sipas vlerësimit të organizatave të mëdha mediatike.

Ceremonitë e vendosjes së kurorave në në Varrezat Kombëtare të Arlingtonit kanë tërhequr mijëra njerëz në të kaluarën. Por ceremonia e këtij viti është e mbyllur për publikun dhe e ndryshuar në format, në mënyrë që pjesëmarrësit të mund të zbatojnë udhëzimet e sigurisë për pandeminë e koronavirusit.

Të gjithëve u është kërkuar të mbajnë maska fytyre dhe të praktikojnë distancimin shoqëror në mjediset e varrezave.

Me rastin e Ditës së Veteranëve, Presidenti i zgjedhur Joe Biden bëri një ndalesë në Përmendoren e Veteranëve të Luftës në Filadelfia.

Top Channel