Roma debutoi në kampionat me një barazim në transfertë ndaj Veronës, por e humbi më pas ndeshjen 3-0 në tavolinë për një gabim në administrimin e dokumentacionit dhe përfshirjen e mesfushorit Diawara në listën e futbollistëve nën 23 vjeç, ndonëse ky i fundit e kishte kaluar këtë prag në muajin gusht.

Klubi verdhekuq e pa si shumë të rëndë këtë masë ndëshkimore dhe pasi shkarkoi nga puna personat që gabuan në plotësimin e dokumentacionit, apeloi çështjen, me shpresën që të mos i hiqet ajo një pikë e fituar me meritë në fushë.

Megjithatë Apeli u mblodh sot për të shqyrtuar çështjen dhe la në fuqi vendimin e marrë atëherë nga Gjykata Sportive, pra fitoren e Veronës në tavolinë me rezultatin 3-0, ndërsa siç është lënë të nënkuptohet nga drejtuesit e verdhekuqve, gjithçka do të mbyllet këtu dhe nuk do të provohet gjykimi në instanca më të larta.

Vlen të theksohet se Roma po bën mjaft mirë në këtë start sezoni, pasi ka regjistruar 4 fitore e dy barazime, duke grumbulluar në total 14 pikë dhe duke u renditur në vendin e katërt, ndërsa humbjen e vetme ka pikërisht këtë ndaj Veronës në tavolinë.

Top Channel