Amazon akuzohet për abuzim me rregullat e BE-së për konkurrencë

11/11/2020 04:38

Komisioni Evropian e akuzoi Amazonin për abuzim me pozicionin e tij dominues në shitjet online, duke fituar avantazh të padrejtë ndaj konkurrentëve. Komisioni Evropian tha se Amazaon ka përdorur të dhënat e shitësve të palëve të treta, që përdorin tregun e tij për të rritur shitjet e mallrave të veta.

Komisioni po ashtu nisi hetime për trajtimin e mundshëm preferencial të shitësve që përdorin shërbimet e Amazonit për logjistikë.Amazon i hodhi poshtë akuzat, duke thënë se asnjë firmë “nuk është kujdesur më shumë” për bizneset e vogla. Amazon përballet me gjobë prej 19 miliardë dollarësh, nëse shpallet fajtor për shkelje të ligjit të konkurrencës.

Komisionarja për Konkurrencë e BE-së, Margrethe Vestager, tha se është jetike që platformat me “fuqi tregu” të mos “e çrregullojnë konkurrencën”. “Të dhënat mbi aktivitetin e shitësve të palëve të treta nuk duhet të përdoren për përfitime të Amazonit kur ai vepron si konkurrent i këtyre shitësve”, tha Vestager.
Komisioni Evropian e ka hetuar Amazonin që nga korriku i vitit të kaluar, pas ankesave nga tregtarët. Në muajin gusht, shefi i Amazonit, Jeff Bezos, është bërë njeriu më i pasur në botë, me një pasuri prej më shumë se 200 miliardë dollarësh. Çmimi i aksioneve të Amazonit është rritur gjatë pandemisë së koronavirusit.

Top Channel