Videoja përlot botën/ Transformimi i habitshëm i balerinës kur dëgjon muzikën!

10/11/2020 11:37

Sëmundja që i kishte prekur trurin, e kishte bërë të harronte shumë gjëra, por jo muzikën.

Një video e ish-balerinës së parë të New York Ballet po bën xhiron e botës, duke prekur shumë njerëz që e kanë parë. Marta C Gonzalez, e cila ndërroi jetë vitin e kaluar, shihet aty e ulur në një karrige me rrota në një azil pleqsh në Valencia.

Ajo është krejtësisht e përhumbur për shkak të Alzheimerit, prej të cilit vuan prej kohësh. Por diçka e papritur ndodh kur i vendosin kufje në vesh dhe dëgjon të burojë muzika e Tschaikovsky-t nga liqeni i mjellmave. Balerina pëson një transformim të menjëhershëm: ajo nis të lëvizë krahët sikur do të kërcejë në skenë. Brenda pak minutash, rikrijon lëvizjet e hijshme që e kishin bërë dikur një kërcimtare aq të suksesshme. Marta ndjek muzikën dhe kujton koreografinë me të cilën kishte kërcyer dekada më parë.

Ky moment emocionues, i regjistruar përpara vdekjes së saj, u shpërnda nga shoqata spanjolle e bamirësisë, Musica para Despertar, e cila përdor muzikën për të përmirësuar humorin por edhe memorien e të sëmurëve me demencë.

Top Channel