Njerëzit në Evropë shumë shpejt pas licencimit do të kenë në dispozicion vaksinën premtuese kundër Coronavirusit të koncerneve farmaceutike Biontech dhe Pfizer.

Sipas Komisionit evropian, marrëveshja me dy koncernet farmanceutike është “gati”. Pak më parë politikani kristiandemokrat për Europën, Manfred Weber la të kuptohet se së shpejti marrëveshja mund të nënshkruhet. Ka patur diskutime që Pfizer duhet të respektojë të drejtën evropiane si edhe ligjin e evropës mbi përgjegjësinë.

Sipas Weber, gjithcka duhet sqaruar por ajo që duhet thënë është se evropianët do të kenë akses tek vaksina. Disi i matur u shpreh ministri gjerman i Shëndetësisë Jens Spahn. Ai tha në Berlin se parashikon që ditët e ardhshme të arrihet marrëveshja përfundimtare ndërkohë që ka një marrëveshje paraprake me Biontech dhe Pfizer.

Sipas Spahn të paktën 200 milionë ampuila vaksine janë siguruar për Europën. Ai parashikon, që Gjermania të marrë rreth “100 milion” vaksina. Komisioni i BE-së prej muajsh po negocion në emër të shteteve të BE-së me koncernet Biontech dhe Pfizer. Eshtë parashikuar që pas përmbylljes së marrëveshjes të 27 vendet anëtare të BE-së të kenë njëkohësisht akses në furnizimet me vaksinën. Shpërndarja do të bëhet sipas madhësisë së popullsisë.

Gjermania ka një kuotë prej 19 përqind. Gjermania si një treg i madh farmaceutik do të kishte mundur ashtu si edhe disa shtete të tjera të mëdha të BE-së të negocionte veçmas për kontratën me koncernet, por me Francën, Italinë dhe Holandën u ra dakord, që këtë proces ta realizojë Komisioni për të gjitha vendet. Në rast të kundërt vendet më të vogla nuk do të kishin mundësi.

Top Channel