“Një incident i rëndë”/ Brazili ndalon vaksinën kineze

10/11/2020 10:35

Testimet klinike braziliane për një vaksinë kineze të koronavirusit u pezulluan pas raporteve për një “incident të rëndë”.

Qendra rregullatore për shëndetësi në Brazil, Anvisa, tha se episodi është regjistruar në 29 tetor, por nuk dha hollësi të tjera. Testimet e fazës së fundit të vaksinës së kompanisë Sinovac janë duke u kryer edhe në Indonezi dhe Turqi. Deri më tani, asnjë shtet nuk kishte raportuar pezullim të testimit. Vaksina e kompanisë Sinovac është një prej shumë vaksinave që po testohen në fazat e tyre finale. Por Kina ka nisur të imunizojë mijëra persona.

Deri më tani nuk ka pasur ndonjë përgjigje nga Sinovac. Brazili është një prej shteteve të prekura më rëndë nga koronavirusi me mbi 5.6 milionë infektime – i treti në renditje botërore pas Shteteve të Bashkuara dhe Indisë.

Autoritetet braziliane kanë raportuar edhe 163,000 viktime, sipas të dhënave të Universitetit Johns Hopkins. Ndërkohë Dimas Covas, udhëheqës i Institutit Mjekësor Butantan, që po kryen testimet në Brazil, u ka thënë mediave lokale se pezullimi i testimeve është bërë për shkak të një vdekjeje, edhe pse vazhdoi të insistonte se vdekja nuk ka qenë e lidhur me vaksinën.

Top Channel