Këto janë dy vendimet e Këshillit të Emërimeve në Drejtësi, haptazi në shkelje të Kushtetutës, ku tregohet se si KED u shpreh në mënyrë preferenciale në shkelje të ligjit, duke lejuar kandidimin e  noteres Sonila Bejtja, ndonëse ajo nuk i plotëson kriteret dhe duke ndaluar garën e mëtejshme të kandidatit Eugen Papandile edhe pse ai i plotëson kushtet e kërkuara nga kushtetuta për në Gjykatën Kushtetuese.

Nga krahasimi i dy vendimeve dallohet qartë se si KED pranon se CV-ja e kandidates për në Gjykatën Kushtetuese përbëhet vetëm nga dy detyra, ajo e avokates dhe e noteres, veprimtaria e saj si notere konsiderohet veprimtari e spikatur në fushën e të drejtës, të drejtave të njeriut dhe sferave të tjera të së drejtës. Ndonëse vetë KED shton se kriteri i noterisë nuk përmendet si kriter për në Gjykatën Kushtetuese , ajo vlerohet për këtë komponent.

E kundërta ndodh me kandidatin tjetër që ndalohet, Eugen Papandile, i njohur si jurist i spikatur në fushën e të drejtave të njeriut, për të cilin karriera si jurist në grupin shqiptar të të drejtave të njeriut apo edhe jurisprudenca në drejtorinë e kodifikimit ku hartohen ligje, pra nga viti 1994 deri në 2005  nuk i konsiderohen si përvojë e shquar. Por teksa KED mbyll sytë për veprimtarinë e noteres duke ia shënuar plus në shkelje të kushtetutës me motivin e emergjencës për të ngritur Gjykatën Kushtetuese, vijohet më tej me standardin e njëanshëm mbahet edhe për angazhimin e saj si avokate. KED interpreton se nuk shërben vetëm përfshirja në profesione të caktuara, por edhe performanca e kandidatit në profesione të caktuara. Për kandidatin tjetër të skualifikuar Papandile ndonëse rezulton avokat pranë grupit të të drejtave të njeriut në mbrojtje të fëmijëve dhe çdo të drejte tjetër, KED shprehet se edhe pse ai e ka lincensën nuk rezultonte i regjistruar.

Por në këtë mënyrë duke mos ia njohur vitet e ekspertit të njohur që gjithashtu njeh në karrierën e tij edhe përfshirjen në Gjykatën e Lartë dhe në Kushtetuese, KED i pret në mënyrë arbitrare vitet duke deklaruar se kandidati nuk përmbush 15 vite karriere ndaj dhe duhet të ndalohet. Kriteri i vlerësimit  nuk është i njëjtë për noteren Bejtja që në fakt rezulton që në vitin 2011 të ketë hapur  në qendrën kombëtare të bizneseve aktivitetin si notere për të cilat ajo ka bërë edhe deklarimet çdo vit të bilancit kontabël.

Këto janë të dhënat që noterja ka dorëzuar vetë vit pas viti dhe ku tregohet se në seksionin e quajtur fitim/humbjet ajo shënon 5.2 milionë lekë të reja, ndërsa në vitin 2017 4.49 lekë të reja. Por për vitin 2018 noterja nuk ka bërë asnjë deklarim dhe për më tepër e ka mbyllur këtë licensë, ndërsa kishte nisur të punonte me një licensë të dytë.

Se çfarë ka dashur të fshehë noterja me këtë skemë, ende nuk është zbardhur, por ajo është rregjistruar në listën e bizneseve që nuk kanë dorëzuar bilancet, por këto të dhëna nuk u zbuluan nga KED që i dha dritën jeshile me vetëm një justifikim, atë të emergjencës për të ngritur Gjykatën Kushtetuese.

Top Channel