Ish-kreu i Partisë Demokratike të Kosovës, Kadri Veseli u deklarua i pafajshëm për aktakuzën për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit të konfirmuar nga Dhomat e Specializuara në Hagë.

Gjatë seancës së parë në Hagë, mbrojtja e Veselit tha se do të kërkojë lirimin e tij deri në nisjen e gjykimit.

 “I dëgjova dhe i kam lexuar të gjitha pikat e aktakuzës. Më lejoni të deklarohem me bindje të plotë, se jam tërësisht i pafajshëm në të gjitha pikat e aktakuzës”, tha ai.

Mbi Kadri Veselin rëndon e njëjta aktakuzë si edhe mbi ish presidentin Hashim Thaci dhe ish kryetarin e kuvendit jakup krasniqi që dolën para gjykatës një ditë më parë. Sipas gjykatës, ekziston dyshimi i bazuar se Veseli është penalisht përgjegjës për këto krime.

Veseli po mbrohet nga avokati Ben Emmerson, i cili në seancë u lidh përmes video-linkut dhe Andreë Cayley, i cili ishte i pranishëm.

Emmerson reagoi lidhur me arrestimin e Veselit, duke argumentuar se Veseli është paraqitur në Hagë vullnetarisht, në bazë të një marrëveshjeje me prokurorin. Emmerson ka lexuar edhe një mesazh të Veselit, ku ai kërkon që të gjitha segmentet e shoqërisë “të përballen me këtë situatë me qetësi dhe dinjitet, të bindur se gjyqtarët do të japin një verdikt të drejt në fund të procesit”.

Veseli, që gjatë luftës ka qenë anëtar i Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, u dërgua në qendrën e paraburgimit në Hagë më 5 nëntor. Të mërkurën para Dhomave të Specializuara do të dalë edhe Rexhep Selimi.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA