Ministri i Shëndetësisë në Kosovë, Armend Zemaj zhvilloi një takim me kryetarët e komunave, me të cilët diskutoi rreth hapave që duhen ndërmarrë për frenimin e përhapjes së koronavirusit.
Zemaj tha se kurba e rasteve të fundit kërkon kujdes të shtuar dhe aktiv.
“Nga java e kaluar, kemi filluar me masa më të rrepta për disa qytete të Kosovës dhe do të vazhdojmë çdo ditë me vendime operacionale për komuna të caktuara, në bazë të kategorizimit, si pasojë e numrit të të infektuarve”, shkroi Zemaj në Facebook.
Në anën tjetër, kryetari i Prishtinës, Shpend Ahmeti në një postim po në këtë rrjet social thotë se Prishtina është vendosur në zonë të kuqe duke rekomanduar mbyllje njëjavore.
“Si arsyetim është ka përdorur numri aktiv i të infektuarve. Duke marrë parasysh që Prishtina ka dhe numrin më të madh të testeve, e po ashtu numrin më të madh të banorëve ne kemi kërkuar që kjo matje të bëhet me numrin e rasteve pozitive si përqindje e testeve. Por, kjo nuk është marrë parasysh”, ka shkruar Ahmeti.
Gjatë fundjavës në Kosovë u ndaluan veprimtaritë e të gjitha subjekteve afariste dhe bizneseve, me qëllim frenimin e përhapjes së koronavirusit. Gjatë 24 orëve të fundit, në Kosovë u regjistruan 13 vdekje dhe 637 të infektuar.
Top Channel