Krasniqi hedh poshtë akuzat/ “Në aktakuzë po i ndani njerëzit në katolikë e myslimanë është fyese”

09/11/2020 15:29
Jakup Krasniqi në Gjykatën e Hagës

Ish-zëdhënësi politik I UCK-së, njëkohësisht ish kryetar I parlamentit të Kosovës, Jakup Krasniqi ka dalë sot përpara Dhomave të Specializuara në Hagë, të njohura edhe si Gjykata Speciale.

Gati i përlotur, Krasniqi tregoi se kurrë nuk ka bërë asnjë nga krimet për të cilat akuzohet, e tha se kjo që po ndodh tani, është një padrejtësi.

Më vonë gjatë ditës, aty do të paraqitet edhe ish presidenti Hashim Thaçi, ndërsa në 10 nëntor do të jetë radha e ish kreut të Partisë Demokratike të Kosovës, Kadri Veseli, e një ditë më pas, del edhe deputeti i Kuvendit të Kosovës, Rexhep Selimi.

Thaçi, Krasniqi, Veseli dhe Selimi, të gjithë ish-eprorë të UÇK-së, u arrestuan javë që shkoi në Prishtinë, pas konfirmimit të një aktakuze kundër tyre për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit. Menjëherë pas ndalimit, ata u transferuan në qendrën e paraburgimit të Dhomave të Specializuara në Hagë. Pas konfirmimit të aktakuzës, Thaçi dha dorëheqjen nga posti i presidentit të Kosovës.

Gjatë paraqitjes së pare në Hagë, gjykatësi i procedurës paraprake siguron që të respektohen të drejtat e të akuzuarit, ndër të cilat edhe e drejta për përfaqësim ligjor dhe që i akuzuari t’i kuptojë akuzat kundër tij.Të pandehurit po ashtu i jepet mundësia të deklarohet nëse është fajtor ose i pafajshëm për çdo akuzë, ose këtë mund ta bëjë edhe brenda tridhjetë ditësh nga paraqitja e parë para Dhomave të Specializuara.

Veprat që, sipas aktakuzës, rëndojnë ndaj Thaçit, Veselit, Selimit dhe Krasniqit, kanë të bëjnë me krime lufte: ndalim të paligjshëm ose arbitrar, trajtim mizor, torturë dhe vrasje të paligjshme dhe me krime kundër njerëzimit: burgosje.Më pastaj përmenden edhe a kte tjera çnjerëzore, si: torturë, vrasje të paligjshme, zhdukje me forcë e personave dhe përndjekje, të cilat, sipas Dhomave të Specializuara, janë kryer mes marsit 1998 dhe shtatorit të vitit 1999. Sipas aktakuzës, krimet dyshohet se janë kryer në disa lokacione të Kosovës, por edhe në disa pjesë në veri të Republikës së Shqipërisë, si në Kukës dhe Cahan. Dhomat e Specializuara e kanë konfirmuar aktakuzën më 26 tetor, por ajo u be publike në 5 nëntor.I akuzuari i parë ka qenë ish-eprori i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Salih Mustafa.Ai tashmë ka deklaruar se ndjehet i pafajshëm për akuzat për krime lufte, të ngritura nga Dhomat e Specializuara në Hagë.

Në paraburgim, si të dyshuar nga Gjykata Speciale ndodhen edhe dy udhëheqës të organizatës së veteranëve të UÇK-së: Hysni Gucati dhe Nasim Haradinaj.

Ata dyshohen për pengim të drejtësisë, frikësim të dëshmitareve dhe vepra të tjera që kanë të bëjnë me bërjen publike të disa dokumenteve sekrete të Gjykatës.

Dhomat e Specializuara dhe Zyra e Prokurorit të Specializuar – që ndryshe njihen edhe si Gjykata Speciale – hetojnë krimet e pretenduara të pjesëtarëve të ish-Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, të kryera kundër pakicave etnike dhe rivalëve politikë që nga janari i vitit 1998 e deri në dhjetor të vitit 2000.

Këto krime të pretenduara përmenden në një raport të Këshillit të Evropës, të vitit 2011, autor i të cilit është senatori zviceran, Dick Marty.

 

Top Channel