Vaksina e parë kundër koronavirusit mund ta parandalojë infektimin në masën mbi 90 për qind sipas një studimi paraprak.
Prodhuesit e saj – kompania amerikane Pfizer dhe ajo gjermane BioNTech – thanë se “kjo është një ditë e madhe për shkencën dhe njerëzimin”.
Vaksina e tyre është testuar në 43,500 njerëz në gjashtë vende dhe duket se nuk përbën shqetësime për sigurinë. Kompanitë planifikojnë të aplikojnë për miratimin emergjent të vaksinës në fund të muajit.
Aktualisht, janë me dhjetëra vaksina në fazat finale të testimit, por kjo është e para që tregon rezultate. Ajo përdor një qasje plotësisht eksperimentale – që përfshin injektimin e një pjese të kodit gjenetik të virusit – për ta stërvitur sistemin imunitar të njeriut.
Do të nevojiten dy doza, me një diferencë kohore prej tre javësh dhe sipas firmave farmaceutike ne fjalë, njerëzit do të jenë të mbrojtur një javë pas dozës së dytë. Vaksina është testuar në Shtetet e Bashkuara, Gjermani, Brazil, Argjentinë, Afrikë të Jugut dhe Turqi. Pfizer beson se do të jetë në gjendje të sigurojë 50 milionë doza deri në fund të këtij viti dhe rreth 1.3 miliard deri në fund të vitit 2021.
Fill pas lajmit, vlera e aksioneve ne tregjet amerikane pësoi menjëherë rritje. Fillimjava solli një lloj çlirimi në tregjet e aksioneve ku ndihej fryma e optimizmit të investitorëve pas fitores së Joe Bidenit pasi shumë prej tyre shpresojnë në një shtim të mbështetjes së Rezervës Federale për ekonominë vendase që mund të nënkuptojë vite me norma rekord të ulëta interesi.
Top Channel