Lione Messi bën diferencën edhe me vetëm një pjesë loje. Roland Koeman e mbajti në stol në sfidën ndaj Betisit, por kur e hodhi në fushë ndeshja nuk pati më histori: 6 herë fituesi i Topit të Artë, duke u dëfryer me topin, shënoi dy gola dhe praktikisht shërbeu për Griezmannin për golin e 2-1, duke dhënë kontributin kryesor në fitoren 5-2 “blaugranave”.

Barcelona tregoi në pjesën e parë se mund të shkëlqente edhe pa Messin, teksa Dembele realizoi një gol të bukur në minutën e 22-të ndërsa Ansu Fati fitoi një 11-metërsh në të 33-ën, por që nuk u shfrytëzua nga Griezmann, goditjen e të cilit nuk e la të hynte në rrjetë Claudio Bravo.

Në minutën e dytë shtesë të pjesës së parë, skuadra andaluze e befasoi Barcelonën me golin e Sanabrias, që e pati të lehtë të mposhtte ter Stegenin nga një distancë e afërt.

Pjesa e dytë nis me lëvizje te Barcelona: Messi merr vendin e Ansu Fatit. Impakti i argjentinasit ishte i menjëhershëm. Sapo nisi ky fraksion, një lëvizje e zgjuar e tij (la topin të kalonte duke ngritur këmbët) Griezmann e pati si lodër fëmijësh realizimin e golit me portën bosh.

Në të 60-ën Mandi i Betisit ndërpreu me dorë topin thuajse mbi vijën fatale dhe me ndërhyrjen e VAR-it u detyrua të largohej me karton të kuq, me Messin që nuk gaboi nga pika e bardhë, për rezultatin 3-1.

Edhe pse me 10 lojtarë, Betisi shfrytëzoi një gabim në rreshtimin e mbrojtjes “blaugrana”, duke shkurtuar diferencën në 3-2, por kundërpërgjigjja e Barcelonës ishte e menjëhershme. Messi, i shërbyer me finte nga Sergi Roberto shënoi golin e parë sezonal jo nga pika e bardhë e e penalltisë, ndërsa në minutë ne 90-të, Pedri shfrytëzoi në shtyllë e dytë topin e hedhur nga Sergi Roberto për rezultatin përfundimtar 5-2.

Top Channel