Joe Biden zgjidhet president/ Kandidati demokrat siguron mbi 270 vota elektorale. Trump nuk pranon humbjen

08/11/2020 00:30

Pas një gare të gjatë e të vështirë, Joe Biden fitoi zgjedhjet në Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe do të jetë presidenti i 46-të i vendit. Ndërsa numri i votave elektorale të kundërshtarit të tij, Donald Trump ka mbetur i palëvizur në 214, ai i Bidenit vazhdon të rritet.

Tashmë demokrati numëron 279 elektorë, duke kapërcye dhe pragun e 270 votave të Kolegjit Zgjedhor të nevojshme për të siguruar presidencën. Në një deklaratë të tij, Biden u shpreh se është “i nderuar dhe i përulur” dhe se ka ardhur koah që Amerika të “bashkohej”. “Para pengesave te paprecedenta, një numër rekord amerikanësh votuan duke treguar edhe një herë se demokracia rreth fort në zemrën e Amerikës.

Me përfundimin e fushatës, është koha të lemë zemërimin dhe retorikën e ashpër pas nesh dhe të bashkohemi si komb. Është koha për Amerikën që të bashkohet dhe të shërohet. Ne jemi Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe nuk ka asgjë të paarritshme, nëse e bëjmë së bashku”, deklaroi Biden pas projektimeve se ai fitoi Pensilvaninë. Nga Kalifornia deri në New York, njerëzit kanë vërshuar nëpër rrugë për të festuar.

Disa prej tyre e përshkruan triumfin e Bidenit si një “rreze shprese për emigrantët”. Cindy Mccain, e veja e senatorit të shumëadhuruar në Arizona, John Mccain, të cilin Trumpi e sulmoi sa ishte gjallë, i përcolli publikisht urimet e saj në Twitter. Arizona ishte një nga shtetet kyçe që e ndëshkoi presidentin republikan.

Ekipi i fushatës së Trump është duke vënë në pikëpyetje rezultatet, dhe paralajmërojnë beteja ligjore për kontestimin e rezultatit. Trumpi vetë e kaloi pasditen ne fushën e golfit, por BBC thotë se pas kthimit në Shtëpinë e Bardhë kishte pamjen e një njeriu të dorëzuar.

Top Channel