Mbas reagimeve të shumta të emigrantëve lidhur me pezullimin e shërbimit në ambasadën Shqiptare në Athinë,ka qenë i menjëhershëm edhe reagimi i shërbimit tonë diplomatik në Greqi.

Pa humbur kohë,në një njoftim të bërë gjatë orëve të vona të natës,ambasada Shqiptare në Athinë njofton se do të vazhdojë normalisht shërbimin e saj, dhe nuk do të mbyllë shërbimin konsullor nga data 9 deri në 30 nëntor, siç kishte paralajmëruar më parë.

Duket se vendimi për mbylljen e sporteleve ishte marrë pa konsultim me Ministrinë e Jashtme shqiptare, por i bazuar në vendimin e qeverisë greke për lockdowun e përgjithshëm,i cili kufizon shërbimet dhe lëvizjet në territorin grek.

Top Channel ka mësuar se ka qenë vetë kryeministri Edi Rama i cili ka kërkuar që të vazhdojë funksionimi i ambasadës dhe konsullatave Shqiptare në Greqi,për të vazhduar dhënien e shërbimeve në përfaqësitë tona diplomatike, por duke marrë masa shtesë mbrojtje nga Covid-19.

Po punohet shtrirja e takimeve për aplikimet të jetë në distancë te saktë kohore nga takimi i rradhës,ndërsa personeli do të mbajë distancë dhe do të marrë masa të forta sigurie, siç janë maskat,mburojat e fytyrës dhe dorezat.

Edhe ambientet do të dezifektohen disa herë në ditë,ndërsa masa janë marrë edhe për termometrimin e personave që do të hyjnë brenda ambienteve të përfaqësive tona diplomatike në Greqi.

Muajt e fundit ambasada Shqiptare në Athinë punon me orare të zgjatura, madje që nga korriku i këtij viti,janë kryer më shumë se 30.000 aplikime për pasaportë dhe kartë identiteti, duke mundësuar afatin e aplikimit për pasaportë në më pak se 24 orë,nga 5-6 muaj që ky afat ishte përpara korrikut, kohë që ministri i Jashtëm Gent Cakaj shkarkoi gjithë stafin e kësaj ambasade,për pa aftësi dhe korrupsion të lartë.

Top Channel