Demokratët në festë! Trump nuk pranon humbjen…

08/11/2020 12:35

Turma mbështetësish dolën në rrugë në qytetet më të mëdha në Shtetet e Bashkuara të Amerikës duke festuar disfatën e Trump-it, ndërsa vende perëndimore si Gjermania, që kanë patur marrëdhënie të trazuara me republikanin nxituan të uronin Biden-in.

Por Donald Trump, që bëhet i pari president që qëndron vetëm një mandat në detyrë, pas George Bushit të Vjetër, në fillim të viteve 1990 ka refuzuar të pranojë humbjen dhe vazhdon të pretendojë se ai ishte viktimë manipulimesh.

Biden ka nxituar të shfaqet si fitues – tha Trump në një deklaratë ndërsa arriti në fushat e Golfit që ai zotëron në Virxhinia, në të parën dalje jashtë shtëpisë së bardhë që nga dita e zgjedhjeve. Nuk ka prova për të mbështetur pretendimet e Donald Trump për manipulime masive. Votimi i të martës kaloi pa ndonjë incident serioz të raportuar e madje edhe pa probleme teknike, pavarësisht hijes së një pandemie të dalë jashtë kontrollit dhe tensioneve politike vullkanike. Me numërimin e votave që thuajse ka përfunduar në të gjithë vendin, Biden ka krijuar tashmë një udhëheqje të pangatërrueshme. Shifrat nga Pensilvania e vendosën atë në krye duke i dhënë fund katër ditëve të tensionuara pritjeje dhe duke lejuar analistët e të dhënave në rrjetet televizive të shpallin rezultatet, sic bëjnë çdo palë zgjedhje.

Në Filadelfia, Los Angeles, Uashington dhe qytete të tjera me shumicë demokrate, njerëzit dolën në mënyrë spontane nëpër rrugë për të festuar.

Një turmë e entuziazmuar prej disa mijëra njerëzish u mblodh në sheshin Jeta e njerëzve me ngjyrë ka rëndësi, pranë Shtëpisë së Bardhë, duke pritur keq madje Donald Trump-in, ndërsa autokolona e tij kaloi aty pranë. Skena të ngjashme kishte edhe në Nju Jork, vendlindjen e Trump. Por në Arizona, ku gara ishte më e ngushtë, një grup mbështetësish të Trump u mblodhën në Feniks për të protestuar kundër atyre që i quajtën zgjedhje të vjedhura.

 

 

 

 

Top Channel