‘Reagimi psikotik’/ 19 vjeçarja që kishte marrë mjekimin anti-malarie hidhet nga avioni në 2000 metra lartësi

07/11/2020 16:41

Një studente e Universitetit të Cambridge që vdiq vitin e kaluar pasi u hodh prej avionit në 2000 metra lartësi mbi Madagaskar, u zbulua se kishte marrë një mjekim anti-malarie me efekte anësore të padokumetuara, thanë sot prindërit e saj.

19 vjecarja Alana Cutland, u sëmur gjatë udhëtimit të ëndërrave në Madagaskar ku po studionte gaforren e rrallë blu. Ajo u detyrua të ndërpriste qëndrimin e saj atje dhe të kthehej në shtëpi me kërkesën  e prindërve.

Studentja nga Milton Keynes pranë Londrës, hapi me forcë derën e avionit të vogël më 25 korrik 2019 dhe u hodh jashtë, pasi ishte përleshur më herët me pilotin dhe pasagjeren tjetër Ruth Johnson, të cilët kishin tentuar ta mbanin nga këmbët teksa fluturonin mbi xhunglën afrikane.

Mjeku ligjor tha se Alana, e cila ishte në vit të dytë të studimeve për shkenca natyrore, gjeti vdekjen gjatë fluturimit nga Anjajavay drejt Antananarivo.

Mjeku ligjor britanik Tom Osborne, ka kërkuar ristudim të informacionit në lidhje me mjekimin anti-malarie doksicikline të marrë prej saj

Ai thotë se studentja pësoi një episod psikotik/deliri që rrjedhimisht solli vdekjen e saj, dhe reagimi dukej qartë që ishte shkaktuar nga mjekimi i marrë.

“Nëse prindërit e saj do të ishin në dijeni të këtij efekti anësor, ata mund të kishin ndërhyrë për të evituar vdekjen”, tha Osborne.

Në një deklaratë prindërit e saj Neil e Alison Cutland thanë se ishte tragjike që vdekja e Alana erdhi si pasojë e efekteve anësore të doksiciklinës.

Në disa raste të rralla mjekimet kundër malaries mund të shkaktojnë paranojë, depresion, haluçinacione apo dhe mendime vetëvrasjeje.

Doksiciklina përdoret për trajtimin e infeksioneve bakteriale dhe është përdorur kundër malaries prej 50 vjetësh.

Alana duhet të qëndronte në Madagaskar për gjashtë javë por ndërpreu qëndrimin pas bisedës me prindërit e saj. Familja kishte marrë me qera një avion të vogël për ta çuar atë në aeroportin e ishullit Ivato Antananarivo ku ajo do të fluturonte më pas në Paris, e më tej në Londër.

Alana kishte bërë disa biseda të trazuara telefonike me prindërit në ditët dhe orët para vdekjes, ndërsa raportimet në ishull thonin se vuante nga stresi dhe paranoja.

FOTO GALERI
1/8
19 vjecarja Alana Cutland, u sëmur gjatë udhëtimit të ëndërrave në Madagaskar ku po studionte gaforren e rrallë blu

Top Channel