Ja kur do të hidhet shorti i Play-off-it të Botërorit, ku Shqipëria do të mësojë edhe kundërshtarët dhe si do të funksionojë
Me të dy skuadrat me pikë të barabarta në krye të renditjes, nuk mund të kishte kohë më të mirë për zhvillimin e “klasikes” së futbollit gjerman, përballjes mes Borussias së Dortmundit dhe Bayernit të Mynihut, që është programuar për pasditen e sotme në orën 18:30.
“Der Klassiker” vjen këtë herë edhe si një përballje mes mbrojtjes më të mirë të kampionatit, që është ajo e verdhezinjve të Dortmundit dhe sulmit më të mirë, që është ai i kampionëve në fuqi të Bayernit.
Këta të fundit e kanë dominuar përballjen me Borussian, pasi kanë fituar 61 ndeshje, kanë barazuar 33 dhe kanë humbur po kaq, megjithatë verdhezinjtë kanë fituar të tre ndeshjet e zhvilluara në “Signal Iduna Park” dhe duan të vijojnë me këtë ecuri pozitive.
Mbrojtja e fortë vjen edhe për shkak të një kontrolli të dendur të topit, pasi Borussia ka një mesatare prej 63% të zotërimit të sferës për ndeshje, ndërsa vlen të theksohet se këtë sezon ka ndryshuar edhe strategjia e lojës.
Verdhezinjtë nuk janë më ajo skuadra që luan hapur në sulm dhe shënon e pëson gola rregullisht, por qarkullon topin për të lodhur kundërshtarin dhe sulmon në 30 minutat e fundit të ndeshjes, çka shpjegohet edhe me faktin që 60% e golave janë shënuar pas minutës së 60’.
Megjithatë edhe Bayerni nuk mbetet pas në këtë aspekt, pasi kampionët në fuqi të Gjermanisë dhe Europës u bënë skuadra e parë në historinë e Ligës së Kampionëve, që shënojnë 4 gola në 15 minutat e fundit të ndeshjes, në fitoren e thellë 2-6 ndaj Salzburgut.
Një sfidë brenda sfidës do të jetë edhe ajo mes dy sulmuesve Erling Haaland dhe Robert Lewandowski, që me golat e shumtë janë shndërruar në “lokomotiva” të skuadrave përkatëse.
Talenti norvegjez i Borussias së Dortmundit ka shënuar 18 gola në 20 ndeshje të zhvilluara në Bundesligë që kur u transferua në muajin janar dhe ka një mesatare realizimi prej 36% të gjuajtjeve në kuadrat.
Për Lewandowskin nuk ka nevojë për shumë fjalë, pasi edhe këtë sezon e ka nisur në mënyrë perfekte dhe ia ka dalë të shënojë 10 gola e të asistojë 3 të tjerë, ndërsa në 12 ndeshje të zhvilluara kundër Borussias ia ka dalë të shënojë plot 16 herë.
Edhe këtë sezon Borussia e Bayerni do të duelojnë deri në fund për titullin kampion dhe sfida e sotme do të jetë një shans që verdhezinjtë të provojnë të shkëputen të vetëm në krye dhe të provojnë të thyejnë hegjemoninë e bavarezëve në kampionat.
Top Channel