Mbështetësit festojnë fitoren e kandidatit demokrat

07/11/2020 21:32

NJU JORK dhe KALIFORNI – Stephanie Hill, një mbështetëse e re e Joe Biden-it në qytetin Nju Jork, festoi të shtunën kur rrjetet kryesore njoftuan fitoren e tij të presidencës së Shteteve të Bashkuara, së bashku me njerëz të panjohur në Parkun “Prospect” të Bruklinit, duke shënuar fundin e katër viteve “të vështira” për liberalët.

Mbështetësit e zotit Biden përplasnin tenxheret, u binin borive dhe brohorisnin me zë të lartë në shumë qytete pas lajmit të shumëpritur.

Për zonjën Hill dhe shumë demokratë, megjithatë, gëzimi u zbeh nga pandemia e vazhdueshme e koronavirusit pas zgjedhjeve të ngarkuara emocionalisht që u zgjatën për ditë me radhë dhe gjatë të cilave u pa një numër më i madh votash të hedhura për Presidentin Donald Trump nga sa ishte shpresuar.

Unë mendoj se është më e qartë tani se kurrë se jemi të ndarë“, tha zonja Hill, producente filmash 29-vjeçare.

Demokrati Biden mbizotëroi pasi ia kaloi gradualisht presidentit republikan në shtetin kryesor të betejës elektorale, Pensilvani, në një garë që mbajti pezull amerikanët dhe shkaktoi demonstrata rivale në disa qytete të Shteteve të Bashkuara.

Në Filadelfia, ku votat e numëruara vonë ndihmuan në kalimin e këtij shteti në favor të zotit Biden, aktivistët që u mblodhën ditët e fundit jashtë Qendrës së Kongreseve të qytetit bënë thirrje për dyfishimin e punës për të avancuar një axhendë progresive.

Është një kohë për gëzim, por edhe një kohë për t’u ribashkuar“, tha Marshall Roy, 34 vjeç, nga Filadelfia e jugut. “Ne gjithashtu e dimë që puna nuk ka mbaruar“, tha të premten zoti Roy.

Fushata me ankth të lartë që arriti kulmin në ditët e kaluara me tensionimin në të dy kahët politikë shtyu shumë amerikanë përparimtarë të kërkonin shpërqëndrimin nga ekranet e tyre televizive dhe mbulimi minutë pas minute i zgjedhjeve.

Rachel Richardson, një 41-vjeçare me origjinë nga Berkeley, një enklavë liberale në Kaliforni, mori dy vajzat e saj për kamping të martën në përpjekje për të shmangur stresin zgjedhor, por e pati të pamundur të shpëtonte.

Pavarësisht se nuk kishte qasje në internet, ajo përfundoi duke marrë lajmet zgjedhore nga një tjetër alpiniste në kamping.

Ne mund t’i ishim larguar. Por e kuptuam se nuk donim të mos e dinim plotësisht”, tha zonja Richardson, i cili bashkë-themeloi një komunitet letrar me bashkëshortin David Roderick.

Ndjej lehtësim dhe lumturi“, tha ajo për fitoren e zotit Biden. “Por unë mendoj se ajo që shohim është se shumë nga ky vend është polarizuar aq sa kemi menduar … Dhe kështu kemi një rrugë të gjatë për të bërë“.

Një numër rekord i amerikanëve votuan në zgjedhjet presidenciale të vitit 2020, me zotin Biden që fitoi votën më të madhe popullore se çdo kandidat tjetër. Por, Presidenti Trump gjithashtu pati një paraqitje të fortë, duke fituar më shumë vota se në 2016 dhe duke konsoliduar pozicionin e tij me bazën besnike të mbështetësve.

Republikanët gjithashtu fituan më shumë vota për në dhomën e ulët të Kongresit dhe demokratët pretendojnë vetëm një vend shtesë deri më tani në Senatin e Shteteve të Bashkuara.

Presidenti Trump përshkallëzoi sulmet e tij të paprovuara ndaj rezultateve, ndërsa shanset e tij për të fituar zgjedhjet u zbehën gjatë tre ditëve që nga mbyllja e votimeve, duke u paraqitur në Shtëpinë e Bardhë të enjten në mbrëmje për të pretenduar në mënyrë të gabuar se zgjedhjet po i “vidheshin”.

Ekipi i tij elektoral po ndjek një seri procesesh gjyqësore nëpër shtetet e betejës elektorale që ekspertët ligjorë i përshkruan se nuk kanë gjasa të kenë sukses në ndryshimin e rezultatit të zgjedhjeve.

Rezultatet përkeqësuan më tej ndasitë e thella brenda elektoratit amerikan, duke lënë disa liberalë me pak arsye për të festuar.

Sylvia Baer, një profesore e letërsisë amerikane dhe poete, tha se nuk kishte në plan të festonte fitoren e zotit Biden.

Vërtet nuk e di më se çfarë është fitorja“, tha zonja Baer, 70 vjeçe. “Nuk e shoh këtë si festim të diçkaje”/VOA/

Top Channel