Ndoshta moralisht nuk është krejt në rregull, por disa duhet të jenë gëzuar për lajmin, edhe sepse largimi i Thaçit nga skena politike në shtetin më të ri të Evropës mund të mundësojë një shkëmbim urgjentisht të nevojshëm të elitës politike.
Kur vendi fitoi pavarësinë më 2008, Thaçi ishte kryeministri i tij i parë dhe nga viti 2016 deri tani presidenti i shtetit. Kosova ka probleme të konsiderueshme brenda vendit dhe kundër Thaçit dhe politikanëve të tjerë kryesorë ka pasur për vite me radhë akuza për korrupsion. Prandaj parë objektivisht një ndryshim i pjesshëm i elitave ofron një mundësi për ndryshim pozitiv.
Ngjarje nga e kaluara
Akuzat aktuale kundër Thaçit, Veselit dhe dy personave të tjerë nuk kanë asnjë lidhje me mënyrën, se si Thaçi i ka kryer detyrat e tij politike. Ato kanë të bëjnë me ngjarje nga një fazë e hershme e jetës së tij, gjatë së cilës Thaçi hodhi edhe themelin për karrierën e tij politike në vitet 1998/99.
Në ato vite ai ishte koka politike dhe anëtar i “Shtabit të Përgjithshëm” i luftës guerile të shqiptarëve të Kosovës kundër ish-sundimit serb. Aktet, për të cilat Haga akuzon tani katër të pandehurit, kanë ndodhur të gjitha gjatë dhe në kontekstin e këtij konflikti të armatosur midis “Ushtrisë Çlirimtare” UÇK dhe organeve të armatosura të Republikës Federale të Jugosllavisë së atëhershme – para dhe pas përfundimit të luftës në qershor 1999. Viktimat e akteve, të cilat kanë ndodhur midis marsit 1998 dhe shtatorit të vitit 1999, ishin “kundërshtarë” të ndryshëm civilë të guerilasve të atëhershëm: shqiptarë të Kosovës të afërt me Lidhjen Demokratike të Kosovës, që rivalizonte UÇK-në, dhe anëtarë të grupeve etnike jo-shqiptare në Kosovë.
Pretendime monstruoze nga Dick Marty
Aktakuza që u mbajt rreptësisht sekret për një kohë të gjatë, u bë thuajse krejtësisht publike më 4 nëntor, me përjashtim të disa informacioneve që nuk përmenden për arsye hetimore. Ajo që bie në sy në aktakuzë është që aty nuk është përfshirë një raport i Këshillit të Evropës i fundi i vitit 2010, i cili qe zanafilla ligjore për krijimin e Gjykatës Speciale në Hagë. Raportuesi zviceran, Dick Marty, bëri asokohe bujë në të gjithë botën, sepse akuzoi në veçanti Thaçin se ka vrarë në Shqipëri njerëz serbë të luftës për t’u marrë atyre organet dhe për t’i shitur ato.
Këto pretendime dhe informacione të gabuara nga koha e luftës së ashpër propagandistike serbo-shqiptare që shoqëroi pavarësinë e Kosovës tani me sa duket janë mbyllur përfundimisht. Mbetet të shpresojmë, se kjo do t’ia bëjë më të lehtë shoqërisë kosovare që më në fund të merret seriozisht me akuzat e tjera serioze.
Shans për shoqërinë kosovare
Fillimi i procesit në Hagë është shans për shoqërinë kosovare. Një vështrim më pak idealizues për luftën e dikurshme për çlirimin nga sundimi serb do të ishte i mirë, sikurse edhe heqja dorë nga tabutë për dhunën e dikurshme të përdorur nga UÇK-ja kundër rivalëve të saj në Kosovë.
Si sfidë shoqërore dhe politike, ky proces mbetet mjaft delikat edhe pa monstruozitetet e raportit të Dick Martyt – sidomos prej faktit që nga ana tjetër Serbia politike e sheh rolin e saj kolektiv në luftën e Kosovës dhe në Kosovën e sotme në mënyrë krejtësisht jokritike dhe refuzon deri më sot të njohë pavarësinë e Kosovës si rezultat i atyre ngjarjeve të luftës. Nuk është rastësi që tani në qeverinë e Prishtinës po shtohen zërat që shprehen për ta ndërprerë njëherë për njëherë plotësisht dialogun me Serbinë për shkak të procesit në Hagë. Në këndvështrim afatshkurtër, Perëndimi, i cili për një kohë të gjatë e konsideronte Thaçin si spirancë stabiliteti, mund t’i vijë në fund keq për këtë lloj stabiliteti. Por në plan afatgjatë procesi në Hagë mund të ketë efekte pozitive për Kosovën dhe fqinjët e saj. Dr. Konrad Clewing është historian i Evropës Juglindore./DW/
Top Channel