Makinat e Eulex në ambientet e PDK

Policia e Eulex ka nisur që në orët e para të mëngjesit një operacion kontrolli në shtëpinë e presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi, të kryetarit të Partisë Demokratike të Kosovës, Kadri Veseli dhe kreut të grupit parlamentar të lëvizjes vetëvendosje, Rexhep Selimi.

Ndërkohë, sipas mediave kosovare, zyrtarë të eulexit janë paraqitur edhe në zyrat e Partisë Demokratike të Kosovës. Mediat kosovare kanë sjellë pamje të operacionit të Eulexit në Cagllavicë, ku shihen makinat e Eulexit dhe të policisë së Kosovës para shtëpisë së Thaçit. I pranishëm, sipas tyre është edhe deputeti i PDK Abelard Tahiri.

 Një ditë më parë, Hashim Thaçi, Kadri Veseli dhe Rexhep Selimi u nisën drejt Hagës, ku edhe janë vendosur në paraburgim. Ndërkohë që Jakup Krasniqi u transferua atje të mërkurën. Gjykata speciale ka bërë publike ndërkohë aktakuzën për krime lufte ndaj Thaçit, veselit, Selimit dhe Krasniqit.

Bëhet fjalë për një aktakuzë prej 68 faqesh që i ngarkon ata me krime lufte, ndalim të paligjshëm ose arbitrar, trajtim mizor, tortura e vrasje të paligjshme dhe krimet kundër njerëzimit të burgosjes, akteve të tjera çnjerëzore, torturës, vrasjes së paligjshme, zhdukjes me forcë të personave dhe përndjekjes, të cilat sipas Dhomave të Specializuara, janë kryer midis marsit 1998 dhe shtatorit të vitit 1999.

Përveç ndaj Thaçit, Veselit, Krasniqit dhe Selimit, Dhomat e Specializuara kanë konfirmuar aktakuzën edhe ndaj ish-eprorit të UÇK-së, Salih Mustafës.

Më 24 shtator, Mustafa, u arrestua në shtëpinë e tij në periferi të Prishtinës. Ndërkohë, gjykata ka konfirmuar tashmë se ish kryetari i kuvendit, Jakup Krasniqi, do të dalë para gjyqit më 9 nëntor, në një seancë që do të mbahet në orën 11 dhe që do të jetë publike.

FOTO GALERI
2/12
Makinat e Eulex në PDK

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA