Southampton ngjitet në krye, Marseille triumfon në Strasbourg, Rashica nuk lë gjurmë ndaj Koln

06/11/2020 23:41

Southampton vijon të dhurojë paraqitje mjaft të mira në kampionatin anglez, pasi mbrëmjen e sotme ka triumfuar me rezultatin 2-0 ndaj Newcastel dhe ka marrë përkohësisht kryesimin e Premier League me 16 pikë, aq sa ka edhe Liverpool.

Skuadra e drejtuar nga Ralph Hasenhuttl dominoi takimin e zhvilluar në “St. Mary’s Stadium” dhe arriti të shënojë nga një gol për çdo pjesë, fillimisht me anë të Adams e më pas me anë të Armstrong, duke marrë kështu një tjetër sukses.

Më herët për kampionatin anglez u zhvillua edhe përballja mes Brightoni e Burnleyt, e cila u mbyll në barazim pa gola, pavarësisht rasteve të shumta të shënimit nga ana e të dy ekipeve.

Pas humbjes zhgënjyese në Ligën e Kampionëve ndaj Portos, Olympique Marseille reagoi mirë në kampionat dhe ia doli të marrë tre pikët në transfertën ndaj Strasbourg. Skuadra e drejtuar nga Andres Villas-Boas triumfoi me rezultatin minimal 0-1, falë golit të shënuar nga mesfushori francez Morgan Sanson dhe u ngjit në vendin e katërt me 18 pikë.

Në kampionatin spanjoll java startoi me përballjen mes Elches dhe Celta Vigos, që u mbyll në barazim 1-1. Vendasit kaluan në avantazh që në minutën e katërt, kur Fidel ekzekutoi saktë një penallti, ndërsa Celta barazoi në të 41-tën me anë të Iago Aspas.

Edhe ndeshja e parë e javës së 7 të Bundesligës gjermane startoi me një barazim 1-1 të regjistruar në përballjen mes Werder Bremen dhe Koln. Miqtë kaluan të parët në avantazh dhe skuadra e Werderit barazoi pak para fundit të ndeshjes, ndërsa sulmuesi Milot Rashica qëndroi në fushë për 65 minuta, por pa arritur të lërë gjurmë.

Top Channel