Mazhoranca ka mbyllur punën e saj disa javore dhe ka hartuar një draft të përbërë nga 45 nene,mbi kompetencat e Presidentit të Republikës.
Deputet i PS-së, Adnor Shameti në një deklaratë për mediat ditën e sotme ka folur për ligjin ne presidentit të vendit, duke theksuar se me krijimin e tij do të marrin fund të gjitha ngërçet artificiale që janë krijuar.
Sipas tij me këtë projektligj nuk i hiqen kompetencat që aktualisht ka presidenti, por janë të përcaktuara shumë qartë të gjitha detyrat që ka kreu i shtetit.
“Hartimi ka qenë një domosdoshmëri për këtë ligj organik, me një shumicë të cilësuar prej 3/5. Është elaburuar me detaje në të gjithë procedurën. Jam i sigurt që me këtë ligj do të marrin fund të gjitha ngërçet artificiale që janë krijuar në vend duke respektuar më gjerë Kushtetutën e Shqipërisë. Nuk bëhet fjalë për kufizim kompetencash të presidentit, por për të drejtat kushtetuese të tij. Grupi i punës ka përfunduar draftin. Ky draft i dakordësuar do t’i nënshtrohet procedurave, që fillon me depozitimin në Kuvend, është një ligj i kompletuar, jo për privilegjet e presidentit,por që i jep fund ngërçeve artificiale. Është i ndërtuar me 45 nene ku të gjitha problemet gjejnë zgjidhje përmes këtij hartimi për ligjin”, tha ai.
Ligji për kompetencat e presidentit duhet të ishte gati në datën 15 tetor, por hartimi i saj ka marrë më shumë kohë dhe prezantimi është bërë vetëm sot (6 nëntor).
Ndërkohë në nenin 20 të ligjit organik për kompetencat e Presidentit, është parashikuar se në këtë rast, kryeministrin e zgjedh Kuvendi, pavarësisht mungesës së dekretit nga kreu i shtetit.
“Në rast se Presidenti i Republikës nuk nxjerr dekretin për emërimin nismëtar të Kryeministrit, ose nuk e nxjerr atë sipas procedurës së përcaktuar në pikat 5, 6 dhe 7 të këtij neni, atëherë Kryeministri zgjidhet drejtpërdrejt nga Kuvendi. Në këtë rast zbatohen gjegjësisht procedurat që rregullorja parashikon për zgjedhjen e Kryeministrit me mocion mosbesimi”, thuhet në pikën 9 të nenit 20 të ligjit.
Top Channel