Ministri izraelit: Nëse fiton Biden, do të bëjmë luftë me Iranin

06/11/2020 19:29

Ministri izraelit i ‘kolonive të reja’ është një nga shumë zyrtarë vendas që duan të shohin Donald Trump të mbrojë presidencën e SHBA, kryesisht prej politikave anti-Iran.

Tzachi Hanegbi tha se nëse Joe Biden fiton presidencën, mund të ketë një luftë Izrael-Iran. Ai pretendonte se kjo do të vijë nga rikthimi i mundshëm i SHBA në marrëveshjen bërthamore ndërkombëtare me Iranin, sipas së cilës vendi arab lejohet të zhvillojë energji civile bërthamore, nën mbikëqyrjen e komunitetit ndërkombëtar.

“Biden ka thënë se do të rikthehet te marrëveshja bërthamore me Iranin por kjo do të çojë në një konfrontim mes Izraelit dhe Iranit”, deklaroi Hanegbi.

Në 2018, Presidenti Donald Trump me presionin e lobit hebre, tërhoqi SHBA nga marrëveshja dhe vendosi sanksione të rënda ekonomike ndaj Iranit. Administrata e tij argumenton se Irani mund të përpiqet të ndërtojë armë bërthamore, çka është mohuar vazhdimisht nga Teherani.

Ndërkohë shumë liderë hebrenj po nxisin bashkë atdhetarët të votojnë për Trump, siç ishte thirrja e grupit të rabinëve zionistë disa ditë para zgjedhjeve që nxitën amerikanët të votojnë republikanin, vetëm prej qëndrimit të tij ndaj Iranit.

Komentet janë të logjikshme pasi Izraeli është mbështetur nga të dyja palët në Shtëpinë e Bardhë, edhe pse marrëdhënia e kryeministrit Netanyahu me ish-presidentin Obama ishte disi e vështirë.

Netanyahu ka lavdëruar shpesh dhe ka punuar ngushtë me Trump, prej mbështetjes se tij për Izraelin.

Biden është aktualisht në avantazh por fituesi në SHBA ende nuk është shpallur.

Top Channel