Laudrup: Eriksen-Inter? Nuk më duket problem skeme, ka kushtet ideale për të bërë mirë

06/11/2020 23:23

Ish ylli i futbollit danez, Michael Laudrup ka folur për situatën e Christian Eriksen te Interi dhe ka theksuar se vështirësitë në përshtatje nuk kanë aspak lidhje me skemat që përdor trajneri i zikaltërve Antonio Conte.

Në një intervistë të dhënë për mediat daneze, Laudrup theksoi se Eriksen është një futbollist cilësor, por ndoshta nuk po arrin dot të ambientohet me stilin e jetës në Itali, më shumë sesa me skemat e Contes.

“Christian është një futbollist shumë i mirë, por nga ana taktike disa gjëra i di edhe unë, pasi kam luajtur futboll. Nuk bëhet fjalë për probleme skeme, pasi ai luan me dy mesfushorë shumë të mirë pas krahëve, dy anësorë të shpejtë dhe mbi të gjitha dy sulmues si Lukaku e Lautaro përpara. Conte ndryshoi skemën për të aktivizuar Eriksen si fantazist dhe i ka krijuar kushtet ideale për t’u shprehur, por mua nuk më duket çështje skeme. Besoj se mund të ketë aspekte të tjera si mentale, kulturore apo gjëra të tilla, që nuk e lejojnë të shprehet në maksimum”, u shpreh Laudrup.

Pas ndeshjes zhgënjyese ndaj Parmës, në mediat italiane po flitet se tashmë ka përfunduar gjithçka mes Eriksen dhe Interit dhe se po pritet vetëm janari që palët të ndahen, por Laudrup e sheh të vështirë largimin e tij.

“Nëse shkruajnë mediat milaneze, me siguri që ato e kanë një burim brenda në klub dhe janë të besueshme. Tani i duhet të shikojë për një aventurë tjetër, por nuk është aspak e lehtë që në këtë periudhë të gjesh një klub që të paguajë një “thes me lekë” për Eriksen”, deklaroi Laudrup.

Top Channel