Kryetari i Komitetit për Punë të Jashtme në Dhomën e Përfaqësuesve, Eliot Engel deklaroi se Hashim Thaçi tregoi respektim ndaj ligjit, kur dha dorëheqjen nga posti i presidentit, për t’u përballur me drejtësinë.

Por, Engel shtoi se Kongresi amerikan do të shikojë nga afër punën e Gjykatës Speciale, që të sigurohet se po i përmbahet ligjit dhe po respekton të drejtat e të akuzuarve.

Përmes një deklarate për shtyp, Engel kritikoi Dhomat e Specializuara dhe Zyrën e Prokurorit të Specializuar – që njihen ndryshe edhe si Gjykata Speciale – pasi sipas tij, ka shënjestruar vetëm qytetarët e një etnie, shqiptarët. “Dua të shpreh shqetësimin tim serioz lidhur me mënyrën se si gjykata e ka ushtruar mandatin e saj. Statusi që ka krijuar Gjykatën Speciale, nuk e ka kufizuar atë që të merret vetëm me shqiptarët.

Ligji thotë se juridiksioni i gjykatës është për krimet e luftës që janë bërë në Kosovë gjatë një kohe të caktuar në periudhën e luftës. Fatkeqësisht, kjo gjykatë duhet se vepron si një gjykatë etnike – që ndjek vetëm shqiptarë që pretendohet se kanë kryer krime”, tha Engel. Engel tha se do të kërkojë nga Departamenti amerikan i Drejtësisë që të monitorojë nëse Gjykata Speciale është duke vepruar sipas ligjit.“E kuptoj se Qeveria serbe dhe zyrtarët ushtarakë që kanë qenë të përfshirë në genocid janë larg fushëveprimit të Gjykatës Speciale.

Por, kjo nuk do të thotë se ajo nuk duhet të hetojë dhe gjykojë keqbërësit sipas ligjit, qoftë edhe gjykime në mungesë. Prandaj, i bëj thirrje Departamentit amerikan të Drejtësisë që të ekzaminojë punën e Gjykatës Speciale dhe të sigurohet se nuk po shënjestrën njerëzit vetëm në bazë të etnisë së tyre dhe bëj thirrje që të ndalohet mbështetja dhe bashkëpunimi i SHBA-së me këtë gjykatë, derisa të dalin përfundime lidhur me këtë çështje”, u shpreh Engel. Kongresmeni kujtoi edhe një herë se shumica e krimeve në Kosovë, janë kryer nga “ushtria e Sllobodan Milloshevicit.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA