BE sanksionon Lukashenkën dhe zyrtarë të tjerë bjellorusë

06/11/2020 20:58

Bashkimi Evropian vendosi sanksione kundër Alyaksandr Lukashenkës, djalit të tij, Viktar, dhe 13 zyrtarëve të tjerë bjellorusë, përgjegjës për “dhunë, arrestime të pajustifikueshme dhe falsifikim” të zgjedhjeve presidenciale.

Gazeta Zyrtare e BE-së publikoi të premten emrat e 15 individëve që u ndalohen vizat dhe u ngrihen asetet.

Ata u bashkohen 40 zyrtarëve të tjerë bjellorusë, të cilët u sanksionuan me masa të ngjashme në fillim të tetorit, për rolin e tyre të pretenduar në shtypjen brutale të protestuesve dhe opozitës.

Protestuesit në Minsk dhe qytete të tjera, për gati tre muaj, kërkojnë dorëheqjen e Lukashenkës, duke e akuzuar për falsifikimin e zgjedhjeve presidenciale të 9 gushtit.

Autoritetet u janë përgjigjur brutalisht protestave, me rrahje dhe arrestime masive.

Lukashenka mban pushtetin në Bjellorusi qysh në vitin 1994.

Ai i mohon akuzat për manipulim të votave dhe i fajëson disa vende të Bashkimit Evropian për përpjekje për të detyruar ndryshimin e regjimit.

Vendet perëndimore refuzojnë ta njohin Lukashenkën si udhëheqës legjitim të Bjellorusisë dhe i kërkojnë atij ta transferojë pushtetin në mënyrë paqësore.

Top Channel