Ish-presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga, ka thënë se të gjitha vendet e rajonit që kanë qenë në luftë mes vete duhet të ballafaqohen me të kaluarën.
“Kosova ka shprehur gatishmëri për këtë ballafaqim dhe i është përgjigjur gjithmonë thirrjes së drejtësisë. Serbia, ndërkaq, si agresore e luftërave në Kosovë, Bosnjë e Hercegovinë, e Kroaci është dashur qysh moti të ndjek këtë shembull”, ka thënë Jahjaga në një postim në rrjetet sociale, pas dorëheqjes së presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi, pasi ndaj tij u konfirmuar aktakuza për krime lufte nga ana e Gjykatës Speciale me seli në Hagë.
Jahjaga thotë se “është e rëndësishme të qëndrojmë të bashkuar, të kemi durim dhe besim në drejtësi”, derisa rikujton se “askush nuk mund të përdhos luftën e Kosovës për liri e pavarësi”.
“Lufta e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës ishte luftë për liri dhe çlirim nga okupimi i Serbisë, ushtria e së cilës, atëkohë, po kryente vrasje masive, spastrim etnik, dhunime, e tortura ndaj civilëve shqiptarë të Kosovës”, ka thënë Jahjaga.
Nga Dhomat e Specializuara në Hagë (apo siç njihen në Kosovë: Gjykata Speciale) deri më tani janë konfirmuar pesë aktakuza, për të cilat është njoftuar publiku – kundër ish-eprorit të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Salih Mustafa, ish-zëdhënësit të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Jakup Krasniqi, ish-anëtarit të Shtabit të Përgjithshëm të UÇK-së, Rexhep Selimi, kundër kreut të Partisë Demokratike të Kosovës dhe ish-kryetar i Kuvendit, Kadri Veseli, dhe kundër presidentit të Kosovës Hashim Thaçi.
Prokuroria e Specializuar në Hagë heton krimet e pretenduara të pjesëtarëve të ish-Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, të kryera kundër pakicave etnike dhe rivalëve politikë që nga janari i vitit 1998 e deri në dhjetor të vitit 2000. Këto krime të pretenduara përmenden në një raport të Këshillit të Evropës, të vitit 2011, autor i të cilit është senatori zviceran, Dick Marty.
Top Channel