Përveç presidentit! Në lojë edhe kontrolli i Kongresit…

04/11/2020 10:47

Përveç votimit për presidentin, në zgjedhjet e së martës në SHBA ishte në lojë edhe kontrolli i Kongresit.

Përveç Shtëpisë së Bardhë, republikanët po tentojnë të mbajnë edhe shumicën në senat. Ata kanë humbur një vend në senat në Kolorado, por kanë fituar një tjetër në Alabama. Lideri republikan i senatit Mitch McConnell dhe aleati i Trump-it, Lindsey Graham janë rizgjedhur të dy. Dhoma e përfaqësuesve pritet të qëndrojë ndërkohë në duar demokrate.

Një kandidate republikane, e cila ka shprehur pikëpamje raciste dhe ka mbështetur teori konspirative të ekstremit të djathtë ka fituar një vend në Dhomën e Përfaqësuesve të SHBA-së. Ajo kandidoi në shtetin e Xhorxhias. Marjorie Taylor Greene, e cila shprehu mbështetje për pretendimin se “tradhtarët e shtetit ” po komplotojnë kundër presidentit, Donald Trump fitoi përkrahje në fushatën e saj nga presidenti, i cili e ka quajtur atë një “yll të ardhshëm republikan”.

Ajo fitoi vëmendje të madhe në rrjetet sociale, pasi në vazhdimësi ka postuar video dhe komente nxitëse. Në postimet e saja, Greene pohonte se “bandat dhe shpërndarja e drogës” po bëhej nga burrat me ngjyrë dhe hispanikët dhe akuzoi miliarderin hebre, George Soros, për bashkëpunim me nazistët. Ajo gjithashtu e quajti zgjedhjen e përfaqësuesve demokratë në Kongres, Rashida Tlaib dhe Ilhan Omar si “pushtim islamik të qeverisë “. Ajo promovoi një teori të QAnon, në vitit 2017, por më vonë u tërhoq, duke thënë se nuk ishte pjesë e fushatës së saj. QAnon është një teori konspiracioni, ithtarët e së cilës mbajnë pikëpamje të ekstremit të djathtë dhe pretendojnë në mënyrë të gabuar se Trump po lufton një elitë globale të satanistëve pedofilë që operojnë një rrjet të trafikut të fëmijëve.

Top Channel