Nxënësit 12-vjeçarë të dyshuar për terrorizëm pasi mbrojtën vrasjen e mësuesit në Francë

04/11/2020 17:23

Dy fëmijë 12-vjeçarë janë nën hetim nga policia franceze si të dyshuar për mbështetje ndaj terrorizmit, për komentet e bëra gjatë homazheve për mësuesin që iu pre koka në një sulm xhihadist, njoftuan sot zyrtarët.

Prokurorët e qytetit lindor të Strasbourg thanë se dy nxënësit kishin bërë komentet gjatë minutës kombëtare të heshtjes të hënën, që u mbajt në nderim të mësuesit Samuel Paty.

Paty u vra muajin e kaluar jashtë shkollës së tij në Paris nga një 18-vjeçar çeçen pasi një fushate zemërimi kundër mësuesit që kishte treguar në klasë karikatura të Profetit musliman Muhamed.

Prokurorët shtojnë se dy fëmijët e dyshuar kishin sugjeruar gjatë diskutimeve se Paty meritonte të vdiste pasi tregoi në klasë karikaturat e revistës satirike Charlie Hebdo.

Ata shtonin se dy incidente të tjera të ngjashme ishin raportuar me fëmijë të moshave tetë e nëntë vjeç.

Ministri i brendshëm Gerard Darmanin tha dje se 66 hetime janë hapur për mbështetje terrorizmi që prej vdekjes së Paty më 16 tetor.

“Marrjet në pyetje kanë përfshirë të rinj, nga 12 deri në 16 vjeç, të cilët kanë përdorur gjuhë ekstreme urrejtjeje në institucione apo rrjetet sociale”, tha Darmanin në një panel parlamentar.

Vrasja me prerje koke e Paty shokoi Francën dhe detyroi presidentin Emmanuel Macron të intensifikojë shtypjen ndaj ekstremizmit islamist.

Por episodi ka shkaktuar protesta të shumta kundër Francës në botën arabe dhe thirrje për bojkot të produkteve të saj.

FOTO GALERI
2/3
Policia ka shtuar mbikqyrjen dhe alarmin terrorist

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA