Terror në Vjenë/ 5 të vdekur, 17 të plagosur në kryeqytetin austriak! Vritet sulmuesi nga Maqedonia e Veriut

03/11/2020 12:12

Policia austriake po kërkon për të paktën një të dyshuar pas një sulmi me armë zjarri në kryeqytetin Vjenë që u ka marrë jetën pesë personave.

17 të tjerë janë plagosur, disa në gjendje të rëndë, pasi agresorë të armatosur hapën zjarr në gjashtë vende të ndryshme në qendër të qytetit mbrëmjen e të hënës. Një agresor është qëlluar për vdekje nga policia – thanë zyrtarët. Ministri i Brendshëm austriak, Karl Nehammer, e cilësoi agresorin e vrarë nga policia si një terrorist islamik.

Policia tha në një postim në Twitter se ai mbante një brez të rremë me eksploziv. Një prej viktimave raportohet se ishte një kamariere. Një tjetër grua ndërroi jetë nga plagët në spital, gjatë natës. Viktimat ishin në qendër të qytetit, e mbushur kjo plot me njerëz në baret dhe restorantet afër sinagogës qendrore të Vjenës.  Por nuk është e qartë nëse ajo ishte shënjestra. Shtatë nga të plagosurit kanë plagë të rënda – raportojnë mediat austriake.

Zyrtarët tani thonë se një agresor tjetër i armatosur dhe i rrezikshëm, besohet se është në arrati. Sipas tyre, mund të kenë marrë pjesë në sulm të paktën katër agresorë. Ministria e Brendshme u ka kërkuar njerëzve të evitojnë qendrën e Vjenës dhe i ka këshilluar prindërit t’i mbajnë fëmijët në shtëpi të martën nëse munden.

Gjithçka ndodhi disa orë para se në Austri të hynin në fuqi kufizimet e reja në shkallë kombëtare në përpjekje për të ndalur përhapjen e koronavirusit. Ishin të shumtë vjenezët në bare dhe restorante para ndalimqarkullimit gjatë natës.

 

 

Top Channel