Sulmi terrorist në Vjenë/ Ministri austriak konfirmon: Një nga autorët ishte nga Maqedonia e Veriut

03/11/2020 12:31

Terroristi i vrarë në Vjenë pas sulmeve në qendër të qytetit është një i ri austriak me origjinë shqiptare nga Maqedonia e Veriut.

Lajmi është konfirmuar nga ministri i Brendshëm i vendit, Karl Nehammer. Kujtim Fejzullai, 20 vjeç, sipas Nehammer -it ishte një mbështetës i grupit terrorist, Shteti Islamik. Ai ishte dënuar me 22 muaj burg më 25 prill 2019, pasi kishte tentuar të udhëtonte drejt Sirisë për t’iu bashkuar ISIS-it. Më 5 dhjetor, ai ishte lënë i lirë me kusht. Autoritetet austriake janë vënë tani në kërkim të autorëve të tjerë të dyshuar të sulmit, që sipas tyre mund të kenë qenë deri në katër, me Gjermaninë që ka intensifikuar kontrollet në kufi, autoritetet italiane që kanë mbledhur Komitetin e Sigurisë me të paktën një të dyshuar që është në arrati.

Ndërkohë edhe numri i viktimave të sulmit të kryer mbrëmjen e të hënës është rritur, duke shkuar në pesë, ndërsa 17 janë të plagosurit, prej të cilëve të paktën gjashtë janë në gjendje të rëndë. Më shumë se 250 janë pjesëtarët e forcave speciale austriake të angazhuar në operacionin e kërkimit, pas atentatit që ka mbjellë panik në kryeqytetin austriak. Sipas policisë, një nga agresorët, që mund të kenë qenë të paktën katër, është në kërkim. Ndërsa i riu me origjinë nga Maqedonia e Veriut, që u vra nga policia ishte i pajisur me një brez fals eksplozivi, një armë automatike dhe një armë dore, si edhe një thikë.

Agresorët hapën zjarr në gjashtë vende të ndryshme në qendër të Vjenës, mbrëmjen e të hënës. Por nuk është e qartë nëse ajo ishte shënjestra. Ministria e Brendshme u ka kërkuar njerëzve të evitojnë qendrën e Vjenës dhe i ka këshilluar prindërit që t’i mbajnë fëmijët në shtëpi të martën nëse munden.

Gjithçka ndodhi disa orë para se në Austri të hynin në fuqi kufizimet e reja në shkallë kombëtare në përpjekje për të ndalur përhapjen e koronavirusit. Ishin të shumtë vjenezët në bare dhe restorante para ndalimqarkullimit gjatë natës.

Top Channel