Ekspertët: Mbas tërmetit ishulli Samos u ngrit mbi ujë me 18-25 cm

03/11/2020 23:01

Lajmi bëhet publik prej instituti gjeodinamik të Athinës,mbas hulumtimeve që ekspertë të këtij instituti bënë në ishullin Samos,pak ditë mbas tërmetit vrastar të së premtes së kaluar,ku në pjesën greke humbën jetën dy vetë dhe u plagosën 19, ndërsa në zonën e Izmirit, deri tani numërohen mbi 110 viktima.

Sipas ekspertëve, ngritja më e madhe shënohet në zonën veriore të ishullit me 18-25 cm,ndërsa në pjesën jugore ngritja e pllakës tektonike është 8-15 cm.

Ekspertët thonë se janë vërejtur ndryshime tektonike të rëndësishme,të cilat kanë ndryshuar edhe relievin mbi dhe nën shtresat ujore.

Ekspertët thonë se janë shënuar edhe shembje të disa rajoneve nën ujë,të cilat dyshohet se janë pikërisht edhe arsyeja e cunamit që pak mbas tërmetit,përmbyti zonën e portit të ishullit duke përmbytur dhjetëra lokale që ndodheshin në shëtitoren e qytetit.

Specialistët thonë se nuk ka vend për panik,por sipas tyre vlerësohet si emergjente ndryshimi i koificentëve të ndërtimit në zonë, dhe rritja e cilësisë së punimeve reabilituese që do të kryhen në gjithë infrastrukturën e ishullit, dëmtimet e të cilës vlerësohen në dhjetëra milionë euro.

Zona e Egjeut lindor ndodhet në atë që specialistët e sizmologjisë e quajnë unaza e zjarrtë e Egjeut, e cila është një zonë tepër aktive sizmologjike e cila vendoset mes pllakave tektonike aziatike dhe asaj afrikane.

Në këtë zonë lëkundjet tërmeteve shpesh kalojnë 6 ballë të shkallës rihter,ndërsa tërmeti i datës 30 tetor ishte i densitetit 6.7 i shkallës rihter.

Ekspertët i druhen edhe aktivizimit të kraterit të vullkanit të Santorinit, për të cilin ekspertët thonë se vitet e fundit kanë vënë re rritje të presionit të shtresave të magmës nën këtë ishull,por jo në nivele alarmante.

FOTO GALERI
1/5

Top Channel