Ryan Giggs, legjenda e Manchester United, aktualisht në postin e trajnerit te kombëtarja e Uellsit, ka përfunduar në telashe të mëdha pasi është arrestuar nga policia. Giggs dyshohet se ka sulmuar fizikisht të dashurën e tij Kate Greville. Sipas The Sun, Giggs ka qenë në shtëpinë e tij në momentin që në banesë ka mbrritur policia, teksa dëgjoheshin britma të shumta.

Giggs është marrë në pyetje, ndërsa aludohet se Greville ka pësuar lëndime trupore gjatë “sulmit”. “Policia u thirr në të dielën në 10.05 pasdite për të raportuar një shqetësim. Një grua në të 30-at e saj pësoi dëmtime të lehta, por nuk kërkoi asnjë trajtim“, tha një zëdhënës i policisë. Ndërkohë, një person afër trajnerit britanik dha versionin e tij për The Mirror.

“Giggs mohon të gjitha akuzat për sulm të kryer ndaj të dashurës së tij. Ai po bashkëpunon me policinë dhe do të vazhdojë t’i ndihmojë ata në hetimet e tyre në vazhdim“.

Giggs është në lidhje me Greville që nga viti 2017, kohë kur u divorcua nga ish-gruaja Stacey, të cilën ai e tradhtoi me gruan e vëllait të tij për plot tetë vite radhazi.

Top Channel