Kërkesat për njohje të ndërsjellë mes Kosovës dhe Serbisë janë të pakuptimta, ka deklaruar presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, pas takimit të Qeverisë së re në Beograd.
Pas seancës së 2 nëntorit, ku mori pjesë si kryetar i shtetit, ai tha se njohja e ndërsjellë nuk është një çështje që Serbia do ta diskutojë ndonjëherë dhe përsëriti se Prishtina është e obliguar të përmbushë detyrimet e saj nga Marrëveshja e Brukselit, e cila së pari përfshin formimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe.
“Na duhet një zgjidhje kompromisi midis Prishtinës dhe Beogradit,” ka thënë Vuçiq.
Sipas tij, në kontekstin e Kosovës, për Serbinë janë të rëndësishme zgjedhjet e ardhshme në Shtetet e Bashkuara.
“Joe Biden është i preferuari i tyre, nuk është sekret. Unë personalisht kam marrëdhënie korrekte me të, por ajo politikë nuk ishte në favor të Serbisë. Sa i përket fitores eventuale të zotit Donald Trump, e cila është e vështirë por jo e pamundur, atëherë do të ishte diçka më e lehtë për Serbinë ”, ka thënë mes tjerash ai.
Kandidati demokrat për president, Joe Biden gjatë një konference për shtyp ka përmendur faktin që djali i tij ka shërbyer në Kosovë në kuadër të trupave amerikane të NATO-s.
Përndryshe, si senator, Biden ka qenë aktiv në Ballkanin Perëndimor dhe ka vizituar këtë rajon në disa raste.
Hera e fundit që Biden ka vizituar Kosovën dhe Serbinë, si Zëvendës-president i Shteteve të Bashkuara, ka qenë në gusht të vitit 2016.
Ndërkohë, si rezultat i marrëveshjes në Uashington më 4 shtator, zyra e Korporatës Ndërkombëtare Amerikane të Financave të Zhvillimit (DFC) u hap në Beograd më 22 shtator.
I dërguari special i Presidentit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës për dialogun Kosovë-Serbi, Richard Grenell, tha në të njëjtën ditë se në vitet e mëparshme ishin bërë shumë premtime, dhe u bëri thirrje qytetarëve në rajon që këtë herë të besojnë për fjalën e dhënë.
Ai vuri në dukje se qëllimi është që “t’i kthejë premtimet në punë të vërteta”.
“Na duhet një vit për t’iu treguar njerëzve në Kosovë dhe Serbi përmirësimin në ekonomi,” ka thënë mes tjerash Grenell.
Zgjedhjet presidenciale në Shtetet e Bashkuara do të mbahen më 3 nëntor.
Gara do të zhvillohet mes presidentit aktual, Donald Trump dhe kandidatit demokrat për këtë pozitë, Joe Biden./REL/
Top Channel