Vetëm 22 vjeç dhe luan sezonin e gjashtë, Locatelli synon kalimin në një klub të madh

30/10/2020 23:45

Manuel Locatelli është një nga futbollistët që po spikat te Sassuolo e Italia dhe po tërheq vëmendjen e klubeve më të mëdha të Serisë A, teksa edhe gjatë merkatos së kësaj vere pati interes të fortë për transferimin e tij. Kështu siç zbulojnë mediat italiane, Andrea Pirlo kërkoi me ngulm mesfushorin 22-vjeçar, por drejtuesit e Juventusit kishin programuar blerjen e Federico Chiesës dhe situata e krijuar nga pandemia nuk u lejonte një tjetër investim të rëndësishëm.

Nga ana tjetër edhe drejtuesit e Interit negociuan gjatë për të rikthyer mesfushorin në Milano, por organika e fryrë në mesfushë dhe mungesa e shitjeve të emrave si Nainggolan, Brozovic e Vecino, bënë që gjithçka të dështonte.

Megjithatë si Interi ashtu edhe Juventusi kanë lënë të hapura negociatat me Sassuolon për të blerë kartonin e mesfushorit, që përveçse është një shkatërrues i mirëfilltë dhe mjaft pozicional, shquhet edhe për cilësitë mjaft të mira në qarkullimin e topit. Vetë Locatelli, në një intervistë të dhënë për mediat italiane theksoi se ëndërron të luajë me një skuadër të madhe dhe pranoi se e josh ideja për të luajtur në një kompeticion si Liga e Kampionëve.

“Dua të jap maksimumin te Sassuolo dhe të punoj për t’u rritur sa më shumë, pasi ëndërroj të kthehem në një skuadër të madhe dhe të luaj në Ligën e Kampionëve. Te Sassuolo është një ambient fantastik për t’u rritur në të gjithë aspektet dhe këtë po bëj edhe unë”, u shpreh Locatelli. Ndonëse vetëm 22-vjeçar, Locatelli po luan kampionatin e tij të 6 në Serinë A, pasi debutoi në sezonin 2015-2016 me Milanin dhe qëndroi për 3 vite te kuqezinjtë, ku luajti 63 ndeshje në total dhe shënoi edhe 2 gola.

Në verën e 2018-ës mesfushori u transferua te Sassuolo, ku deri tani numëron 68 ndeshje dhe 4 gola të shënuar, ndërsa gjatë vitit 2020 është bërë pjesë edhe e Kombëtares Italiane, me të cilën ka luajtur 4 ndeshje deri tani. Kartoni i Locatellit vlerësohet rreth 35 milionë euro, megjithatë nëse mesfushori do të vijojë në këto nivele paraqitjeje, drejtuesit e Sassuolos mund të kërkojnë diçka më tepër gjatë merkatos së verës së ardhshme.

Top Channel