Rikthehet futbolli në Shqipëri, caktohen oraret e ndeshjeve të javës së parë

30/10/2020 18:15

Pas një bojkoti prej rreth një muaji e gjysmë, Kategoria Superiore do të startojë mesjavën e ardhshme me ndeshjet e javës së parë të sezonit të ri, ndërsa janë përcaktuar edhe oraret e 5 sfidave.

Kështu gjithçka do të startojë të mërkurën në orën 13:45, me dy përballjet e para, ku Partizani do të luajë në transfertë ndaj Kastriotit, me krutanët që kanë zgjedhur stadiumin e Kamzës për të luajtur ndeshjet si pritës, dhe Bylisi do të presë Laçin në “Adush Muça”.

Më pas tre sfidat e tjera, Teuta-Skënderbeu, Tirana-Kukësi dhe Vllaznia-Apolonia do të startojnë në orën 16:45, ndërsa mbetet ende për t’u përcaktuar se ku do të luhet përballja mes kampionëve dhe nënkampionëve të sezonit të kaluar.

Të gjitha ndeshjet do të transmetohen në platformën Digitalb.

Top Channel