Covid-19 largohet pas 19 ditësh nga trupi i Ronaldos, portugezi gati për Spezian

30/10/2020 18:46

Covid-19 ka qëndruar për plot 19 ditë në trupin e Cristiano Ronaldos, por pa arritur t’i shkaktojë asnjë pasojë serioze dhe më në fund vendosi të largohet, pasi tamponi i kryer së fundi nga portugezi, ka rezultuar negativ.

Lajmin e ka dhënë vetë klubi bardhezi nëpërmjet një komunikate zyrtare, ku saktëson se pas tamponit negativ, njerëzit përkatës kanë nisur punën për të plotësuar dosjen shëndetësore dhe për të marrë miratimin për të luajtur.

Gjithçka pritet të kompletohet ditën e nesërme dhe portugezi do të jetë në dispozicion të Andrea Pirlos për sfidën e të dielës ndaj Spezias, ndonëse nëse do të luajë apo jo nga minuta e parë, është një vendim që i takon trajnerit.

Cristiano Ronaldo rezultoi i infektuar nga koronavirusi në prag të ndeshjes mes Portugalisë dhe Suedisë, ndërsa prej 19 ditësh ka qëndruar në karantinë në shtëpi, ku natyrisht që nuk e ka ndalur për asnjë moment stërvitjen.

Ky është një lajm mjaft i mirë për Andrea Pirlon, që pas disa rezultatesh negative radhazi, sheh t’i rikuperohen futbollistët më të rëndësishëm si Chiellini e Ronaldo, të cilët mund ta nxjerrin skuadrën nga situata.

Top Channel