Sekretari amerikan i Shtetit, Mike Pompeo u bëri thirrje Armenisë dhe Azerbajxhanit të arrijnë një zgjidhje diplomatike të konfliktit mbi rajonin e debatueshëm të Nagorno-Karabakut, ku të martën vazhduan luftimet dy mujore në kundërshtim me një armëpushim të ndërmjetësuar nga Uashingtoni.
Ndërsa po vizitonte Indinë të martën, Sekretari Pompeo zhvilloi biseda telefonike me Kryeministrin armen Nikoll Pashinyan dhe Presidentin azerbajxhanas Ilham Aliyev. Zoti Pompeo “u bëri presion udhëheqësve që të respektojnë zotimet e tyre për të ndërprerë armiqësitë dhe për të gjetur një zgjidhje diplomatike”, thuhet në një deklaratë të lëshuar nga Departamenti i Shtetit.
Të dy vendet akuzuan njëri-tjetrin të martën për sulme ndaj objektivave jashtë Nagorno-Karabakut pasi Sekretari Pompeo ndërmjetësoi një armëpushim me ministrat e jashtëm të Armenisë dhe Azerbajxhanit. Takimi i tyre i 24 tetorit në Uashington u organizua pas dy përpjekjeve të dështuara ruse për të ndërmjetësuar një armëpushim të luftimeve më të rënda në rajon në më shumë se një çerek shekull.
Sekretari amerikan i Shtetit, Mike Pompeo u është bashkuar udhëheqësve të tjerë globalë në thirrjet për t’i dhënë fund luftimeve mbi territorin e debatueshëm. Udhëheqësit botërorë duan të parandalojnë një luftë më të madhe që mund përfshijë Turqinë, një aleate e Azerbajxhanit dhe Rusinë, e cila ka një marrëveshje mbrojtjeje me Armeninë. Dhuna është gjithashtu pranë tubacioneve që transportojnë naftë dhe gaz nga Azerbajxhani në tregjet globale.
Top Channel