Dorëhiqet Bartomeu/ Presidenti i Barcelonës dhe i gjithë bordi i drejtorëve largohen

28/10/2020 01:13

Krizë e thellë tek Barcelona. Në gijotinën e krizës financiare dhe rezultateve, përfundoi koka e presidentit Josep Maria Bartomeu. Pas një vere të nxehtë, e karakterizuar nga kriza me futbollistin argjentinas Lionel Messi, Barcelona u zhyt në një kaos total në prag të ndeshjes së Ligës së Kampionëve kundër Juventusit.

Presidenti Bartomeu dhe i gjithë bordi i tij i drejtorëve kanë vendosur të japin dorëheqjen pasi kanë mësuar pozicionin e Generalitat de Catalunya për votën e referendumit. Qeveria katalanase i kishte shkruar klubit se nuk shihte “pengesa ligjore për të mbajtur një votë mosbesimi, me kusht që protokolli organizativ të përfshinte kërkesat që grupi teknik paraqiti në takimin në 21 tetor.”

Përgjigja e qeverisë nënshkruar nga krerët e departamentet e Presidencës, të autoriteteve të Brendshme autonome në Katalonjë, refuzuan kërkesën për të shtyrë votimin që kërkon pikërisht shkarkimin e Bartomeut. Kështu presidenti jep dorëheqjen me gjasë për të mos u larguar me ceremoni në Camp Nou në asamblenë e 1 dhe 2 nëntorit.

Praktikisht Bartomeu ka lënë detyrën dhe për këtë arsye nuk do t’i nënshtrohet mocionit të mosbesimit që kërcënoi ta përjashtonte nga presidenca. Pavarësisht nga rezistenca të hënën, kur ai mohoi të kishte menduar ndonjëherë për dorëheqjen, brenda disa orësh ai iu dorëzua presionit duke lënë postin.

Top Channel