Reali shmang turpin në fund, Joao Felix nderon Atleticon, fitojnë edhe skuadrat angleze

27/10/2020 23:01

Fitorja në “Camp Nou” përballë Barcelonës duket se nuk ka sjellë ndryshimin e shumëpritur për Realin e Madridit, që si rrallë herë në histori, ka vënë në rrezik kualifikimin për në fazën e 1/8-ave të Ligës së Kampionëve

Pas humbjes në ndeshjen e parë të grupit përballë ukrainasve të Shakhtar Donetsk në stadiumin “Alfredo Di Stefano”, madrilenët zhgënjyen edhe në transfertën ndaj gjermanëve të Borussia Monchengladbach, ku vetëm në minutat e fundit ia dolën të shmangin një humbjen.

Sulmuesi 23-vjeçar francez Marcus Thuram ishte protagonist mbrëmjen e sotme për gjermanët, pasi arriti të shënojë nga një gol në çdo pjesë dhe t’u japë avantazhin e dyfishtë, por Reali rihapi takimin me Benzema në minutën e 87’ dhe barazoi shifrat në shtesë me anë të Casemiros.

Dy sfidat e ardhshme të madrilenëve do të jenë ndaj Interit, fillimisht në “Alfredo di Stefano” dhe më pas në “San Siro” takime këto ku pritet të vendoset shumë sa i përket ecurisë së Realit në Champions, sepse pas dy ndeshjeve të para “Los Blancos” janë të fundit në grup me vetëm një pikë.

Skuadra tjetër e Madridit, Atletico ia doli të triumfojë me vështirësi 3-2 ndaj austriakëve të Salzburg. Pas humbjes në ndeshjen e parë 4-0 në transfertë ndaj Bayernit të Mynihut, Los Colchoneros donin me patjetër fitoren, të cilën e arritën falë një forme mjaft të mirë të Joao Felix.

Llorente zhbllokoi rezultatin, duke i dhënë Atleticos avantazhin, por austriakët u përgjigjën me golat e Szoboszalai dhe Berishës, duke përmbysur gjithçka. Megjithatë në fund ishte portugezi Joao Felix që bëri protagonistin duke shënuar dy herë dhe duke u dhënë fitoren spanjollëve.

Ndonëse pritej një tjetër fitore, Atalanta vuajti jo pak përballë të rinjve të talentuar të Ajax dhe ia doli jo pa vështirësi të shmangë humbjen brenda në Bergamo. Holandezët shënuan dy herë në pjesën e parë, me Tadiç e Traore, duke vënë në vështirësi skuadrën e Gasperinit, që riktheu baraspeshën në pjesën e dytë me dy gola të Duvan Zapatës.

Manchester City mori fitoren e dytë në grup, pasi ia doli të triumfojë me rezultatin 0-3 në transfertën franceze ndaj Marseille, ndërsa edhe anglezët e Liverpool morën 3 pikët e radhës falë një tjetër fitoreje 2-0, këtë herë ndaj danezëve të Midtjylland. Gjetën suksesin e parë edhe portugezët e Portos, që mposhtën 2-0 grekët e Olympiacos.

Top Channel